E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Vizat, vazhdoni para me reformat

Bashkimi Evropian mund të shqyrtojë këtë vit heqjen e vizave me disa vende të Ballkanit perëndimor dhe të çelë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë. Kjo ishte deklarata e djeshme e komisionerit evropian për zgjerimin, Olli Rehn, sipas të cilit Kroacia dhe Sllovenia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre. Teksa fliste në Parlamentin Evropian, ai tha se në gjysmën e vitit 2009, Komisioni Evropian mund të propozojë liberalizim vizash me disa vende të Ballkanit, nëse ato ecin para me reformat. Më tutje, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mund të marrin një vendim final nga fundi i vitit 2009, duke marrë në konsideratë progresin e këtyre vendeve në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, pajisjen me pasaporta biometrike dhe kontrollin me eficencë të kufijve. "Ne dëshirojmë të ecim para drejt lëvizjes së lirë pa viza. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët e Ballkanit perëndimor", tha Rehn në fjalën e tij para Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Evropian. Mbetet gjithsesi e paqartë nëse qeveritë e Bashkimit Evropian do të ndërmarrin një hap të tillë, thonë diplomatët, në një kohë kur kriza ekonomike i ka bërë këto vende më të varfra. Vendet e Ballkanit perëndimor: Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, kanë një perspektivë evropiane, por kriza ka reduktuar oreksin për zgjerim. "Nuk duhet ta mbajmë zgjerimin peng të krizës ekonomike. Origjina e saj ishte në Wall Street më shumë se sa në Zagreb", u shpreh Rehn, duke iu referuar kryeqytetit të Kroacisë. Ai sqaroi se komisioni mund të propozojë këtë vit fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me ish-Republikën Federale të Maqedonisë nëse ajo implementon reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht luftën ndaj korrupsionit. "Nëse ajo arrin rezultate pozitive, ne mund të bëjmë një rekomandim për fillimin e negociatave këtë vit", konfirmoi Rehn. Ai sugjeroi që qeveritë e Sllovenisë dhe Kroacisë të zgjidhin konfliktin për vijën ndarëse, çka bllokon progresin e mëtejshëm në negociatat që i afrojnë me BE-në.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›