E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festonte fitoren e partisë së tij, qëllon me armë

02/07/2009  Ndalohet 70-vjeçari

TEPELENË - Policia e Tepelenës ka ndalur në orët e para të ditës së mërkurë një 70-vjeçar, pasi po qëllonte me armë zjarri në drejtime të ndryshme, duke vënë në rrezik jetën e bashkëfshatarëve. Burime zyrtare nga policia lokale pohuan se “shtetasi Ramadan Q. 70 vjeç, lindur në fshatin Hormovë dhe banues në fshatin Beçisht të rrethit të Tepelenës, teksa dëshironte të festonte fitoren e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, e ka shprehur gëzimin e vet duke qëlluar me armë zjarri në drejtime të ndryshme, gjë që ka rrezikuar seriozisht jetën e bashkëfshatarëve të tij”. Sipas policisë, denoncimi është kryer nga disa banorë të fshatit Beçisht dhe në momentin e ndalimit i moshuari i ka bërë rezistencë grupit të gatshëm, por pas negociatash është bërë i mundur ndalimi i tij.

Gjithashtu, mësohet se gjatë kontrollit të banesës e tij u bllokuan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatikë, katër krehra automatiku të mbushura me fishekë, 190 fishekë model 56, si dhe 25 gëzhoja. Materiale në ngarkim të 70-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›