E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Miss Shqipëria 2009”, dita e fundit e “mbretërimit” për Almeda Abazin



Petrika GROSI
Sot, “Miss Globi” i momentit Almeda Abazi do të dorëzojë në mbrëmje kurorën e bukurisë shqiptare, e cila do të merret nga njëra prej 31 bukurosheve që garojnë në spektaklin e bukurisë “Miss Shqipëria 2009”. Siç tregon producenti Petri Bozo, spektakli që do të transmetohet nga Vizion Plus, organizohet në sheshin para Torrës veneciane në Durrës, ku puna përgatitore me skenografinë, dekoret dhe detaje të tjera është përmbyllur me sukses dhe pritet vetëm që të zhvillohet nata finale e këtij evenimenti. Natyrisht, nuk do të mungojnë të ftuarit specialë, njerëzit e spektaklit dhe të artit, të cilët do t’i shtojnë ngjyrat spektaklit duke e ngrohur dhe më shumë atmosferën. Më i rëndësishmi ndër këta të ftuar është tenori italian Andrea del Principe. Tenori i njohur në Itali ka pranuar ftesën zyrtare të “Deliart Assocation”, për të qenë i pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë dhe për të intepretuar në skenën e “Miss Shqipëria 2009” disa nga këngët e tij më të famshme.

Surprizat e mbrëmjes

Spektakli nuk do të drejtohet nga Bozo siç jemi mësuar herët e tjera por nga regjisori Alert Çeloaliaj dhe do të ketë mjaft të ftuar specialë. Përveç tenorit italian, Andrea del Principe, në skenën madhështore që është ngritur para Torrës veneciane në Durrës do të vijnë me interpretimet e tyre vëllezërit korçarë Stefi dhe Endri Prifti, Rezarta Shkurta, Afërdita Dreshaj (para pak vitesh pjesë e këtij kompeticioni) si dhe grupi “Produkt 28”.
Ndërkaq, nuk do të mungojë një homazh për legjendën e Pop-it, Majkëll Xhekson; Koreografja Kozeta Bakiu ka krijuar një numër special që do të interpretohet nga balerinët e saj, si dhe një sërë numrash të tjerë baleti enkas për spektaklin “Miss Shqipëria ‘09”.

Turi në Shqipëri dhe Mal të Zi

Për gati një muaj, 31 bukuroshet e përzgjedhura ndër 240 kandidate nga e gjithë Shqipëria për këtë garë, së bashku me stafin dhe producentin Petri Bozo, kanë udhëtuar në vende turistike “të panjohura” në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke zhvilluar ndërkohë dhe disa mini-konkurse, në mënyrë që ato të ishin sa më të përgatitura për mbrëmjen e madhe të edicionit të 11-të të “Miss Shqipëria ‘09”. Nëpër këto udhëtime e ndalesa të tyre në vendet historike dhe natyrore të veçanta, vajzat kanë xhiruar edhe videoklipet që do t’i prezantojnë ato para publikut.

Më shumë bukuroshe nga Veriu

Vajzat, në pjesën dërrmuese të tyre, këtë vit kanë qenë nga Veriu i Shqipërisë, raport që këtë vit krijohet për të parën herë dhe që tregon një lloj emancipimi në mendësi si dhe në rritjen e interesit për bukurinë dhe modën në përgjithësi.

Protagoniste që në ditën e parë

Një ndër risitë e kompeticionit të sivjetshëm të “Miss Shqipëria” ka qenë formula “protagoniste që në ditën e parë”. Bozo tregon se “Bukuroshet kanë qenë vetë drejtueset dhe protagonistet e mini-konkurseve që janë zhvilluar në vende të ndryshme, apo në qytetet nga ato vinin, duke u argëtuar kështu, por dhe duke marrë një përvojë të vlefshme e emocionuese sa i përket botës së spektaklit.” Pra, pa i stërvitur shumë Kozeta Bakiu dhe stafi i Bozos, bukuroshet janë hedhur në veprim duke mësuar nga praktika.

Bileta ekskluzive për “Miss Globe International”

Përveç momenteve të bukura të kaluara në grup, përvojës së udhëtimeve, testeve, sfilimit e intervistave, e pa dyshim, famës mediatike që do të pasojë mbylljen e këtij spektakli, fituesja e kurorës së “Miss Shqipëria 2009” do të marrë edhe biletën ekskluzive për të përfaqësuar bukurinë shqiptare në garën ndërkombëtare të “Miss Globe International”, spektakël që edhe sivjet do të organizohet nga “Deliart Assocation”.

Nuk fiton vetëm e para

Megjithëse vetëm njëra nga vajzat do të shpallet si më e bukura e Shqipërisë, të tjerat nuk duhet të trishtohen. Mjaft çmime të tjera që do të ndahen kanë për t’u dhënë atyre të drejtën e konkurimit nëpër spektakle të ndryshme të kësaj natyre që do të zhvillohen përgjatë një viti brenda dhe jashtë vendit. Nuk duhet harruar këtu kalendari i famshëm i fundvitit, që tashmë Bozo e ka shndërruar në një traditë; vajzat më të vlerësuara dhe më fotozhenike të “Miss Shqipërisë” do të pozojnë artistikisht për faqet e tij, por ende është herët për të folur mbi vendet ku ato do të fotografohen dhe modelet që do të jenë pjesë e këtij kalendari.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›