E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha përgjegjësi kryesor, të dorëhiqet!

 
Kryetari i PS-së tha dje se Berisha dhe Mediu duhet të lënë imunitetin e deputetit TIRANË- Opozita përshkallëzon kërkesat e saj për nxjerrjen e përgjegjësive morale dhe ligjore të tragjedisë së Gërdecit. Partia Socialiste, si forca kryesore opozitare, nuk është mjaftuar vetëm me dorëheqjen e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes Fatmir Mediu, por ka kërkuar dje që ajo të shoqërohet dhe me largimin e kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor jo vetëm politikë por edhe ligjor të kësaj ngjarje të rëndë që solli viktima dhe qindra biznese dhe banesa të shkatërruara. Kreu i selisë rozë, Edi Rama për të dytën ditë radhazi ka ripërsëritur kërkesën e tij për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Berisha, si gjeja më e paktë që ai mund të bëjë në këto momente. "Sot i përsëris në emër të gjithë shqiptarëve, se ne nuk e pranojmë për kryeministër dhe ai duhet të na japë dorëheqjen, jo justifikimet e patolerueshme të një fatkeqësie, që nuk është natyrore, por politike, që nuk e kemi nga Zoti, por nga ata që kanë marrë votën për të na dalë zot, që nuk mund të mbulohet siç po mbulohet numri i viktimave, e që nuk mund të tolerohet pa dalë e plotë përgjegjësia morale, politike e ligjore, siç janë toleruar plot bëma e gjëma familjare, të shkaktuara nga papërgjegjshmëria e politikës së vjetër", - tha Rama. Madje, ndryshe nga deklaratat e një dite më parë, gjatë konferencës së djeshme, kryesocialisti ka akuzuar dy drejtuesit e lartë Berisha dhe Mediu edhe për përgjegjësi ligjore, për të cilën duhet të përgjigjen përpara drejtësisë. Për këtë arsye, ai ka kërkuar dorëzimin e imunitetit të deputetit nga ana e kryeministrit Berisha dhe ministrit ende në detyrë Fatmir Mediu, si një përpjekje për ti krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për hetim organit të prokurorisë. "Për të tretën herë radhazi, ne të gjithë dëgjuam Kryeministrin e Shqipërisë, të vijojë përçartjen e tij, ndërkohë që të gjithë bashkë, shqiptaret dhe shqiptarët, kudo ku janë, organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës, kërkojnë dorëheqjen e tij, si të më voglën gjë që kryetari i qeverisë, që shkaktoi gjëmën më ë madhe, duhet të bëjë në respekt të viktimave të kësaj tragjedie. Ne duam dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha e Fatmir Mediu, jo me deklarata për gjoja gatishmëri për të mbështetur hetimet, po me votim në Kuvendin e Shqipërisë", - theksoi kryesocialisti Edi Rama. Ndërkohë që gjatë paradites së djeshme kryetari i PS-së ka qenë në familjen Deliu për të përcjellë personalisht por edhe në emër të socialistëve ngushëllimet më të sinqerta në këtë familje, e cila ka humbur pjesëtar të saj në tragjedinë e Gërdecit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›