E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brace: Ngjarja e Gërdecit, produkt i trafikut të armëve

 
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Brace flet për përgjegjësitë ligjore të kryeministritTIRANË- Katastrofa e Gërdecit është produkt i drejtpërdrejt i korrupsionit dhe i trafikut të armëve nga ana e pushtetarëve. Ky është konstatimi që bënë Partia Socialiste lidhur me shkaqet e tragjedisë së ndodhur disa ditë më parë gjatë shpërthimit të depove të municionit në fshatin Gërdec pranë Vorës. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe duke marrë shkas nga zhvillimi i ngjarjeveështë shprehur se ngjarja e ndodhur në Gërdec përbën një krim të pastër nga ana e drejtuesve më të lartë shtetërorë, të cilët me vendimet dhe mosveprimet e tyre kanë krijuar të gjitha kushtet për një tragjedi të tillë. "Ngjarja e Gërdecit është një krim i pastër, që ka sjellë si pasojë vrasjen e dhjetëra njerëzve, plagosje të disa qindra njerëzve dhe shkatërrim të pasurisë private në një territor shumë të gjerë, që kap vlerën e miliona eurove. Ngjarja e Gërdecit është produkt i drejtpërdrejt i korrupsionit dhe i një prej përbërësve më të rëndësishëm të korrupsionit, trafikut të armëve", - u shpreh Braçe.Duke iu referuar vendimeve të nxjerra nga Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Mbrojtjes, si dhe kontratave të lidhura midis ndërmarrjes shtetërore MEICO dhe kompanisë amerikane SAIC për demontimin e armëve, Braçe akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Sali Berisha për përgjegjësi jo vetëm morale por edhe ligjore. Sipas tij, qeveria e kryeministrit Berisha është thellësisht përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit dhe mbi të gjitha është për shkeljen e një sërë ligjesh të rëndësishme duke filluar nga kushtetuta e vendit dhe deri tek ligjet që administrojnë fushën e mbrojtjes. Kështu Braçe vëren se ligji 8671 "Për pushtetin dhe autoritetin e komandimit të drejtimit strategjik të forcave të armatosura" në disa nene e ngarkon kryeministrin me përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë çështje. Konkretisht në nenin 14 të tij thuhet se "Këshilli i Ministrave përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armëve të teknikës dhe të pajisjeve të forcave të armatosura, rregulla për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi.Procedurat dhe përgjegjësitë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". "Është pikërisht ky ligj që e bën përgjegjës dhe e detyron kryeministrin e Shqipërisë të merret me çështjen e municioneve dhe të armatimit të ushtrisë shqiptare në këtë vend", - u shpreh Braçe. Ndërkohë që në nenin 16 në pikën 10 kryeministri ngarkohet me përgjegjësinë e bashkërendimit të punës ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal për lajmërimin e popullsisë për rreziqet e fatkeqësisë natyrore të aksidentit teknologjik dhe për rreziqet e luftës. Pra sipas Braces kryeministri i vendit duhet të dijë dhe duhet të ketë dijeni të plotë për ngjarjen dhe mos përmbushja e detyrimeve, që i ngarkon ky ligj kryeministrit të vendit natyrisht, është shpërdorim detyre dhe jo paaftësi. Gjithashtu socialistët ngarkojnë kryeministrin me përgjegjësi ligjore edhe sa i përket vendimit për të ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes për shitjen, çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. "Ky vendim i Këshillit të Ministrave i firmosur nga Sali Berisha, dora vetë, ngarkon me përgjegjësi një institucion të rëndësishëm të qeverisë së tij, Ministrinë e Mbrojtjes për të mbikëqyrur deri në një këtë proces. Në zbatim të këtij vendimi janë lidhur dy kontrata me kompaninë Southern Ammunition, dy kontrata të cilat janë në kundërshtim total me vendimin e qeverisë", - tha Braçe. Ndërkohë ai vëren se kontratat janë shkelur edhe sa i përket tipit dhe përmasave të municionit që do të demontohej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›