E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha po mban peng të vërtetën e zgjedhjeve, të hapen kutitë

 

Pas festimeve në qytetin e Pavarësisë, kryetari socialist përmes një konference për shtyp ritheksoi pozicionin e socialistëve përballë maxhorancës dhe parlamentit. Në këto ditë festash, Rama apeloi dhe njëherë se hapja e kutive është e domosdoshme dhe se Berisha mban peng të vërtetën. “Hapja e kutive është e domosdoshme. Berisha po mban peng të vërtetën. Sali Berisha, i gjendur para faktit të rëndë se hapja e kutive të votimit e ballafaqon me një të vërtetë të cilën ai i ikën si djalli i temjani, ka vendosur të ngrejë një mal me baltë për të fshehur përmasat e këtij mali, të vërtetën që mban peng kutitë e 28 Qershorit”, u shpreh Rama. Sipas tij, kryeministri po kapërcen çdo kufi dhe po përfundon komunikimin me publikun duke u thyer në diktator të regjimit të vjetër. Duke folur para të pranishmëve, Rama theksoi se kjo ditë e shënuar i gjen shqiptarët në një çast dramatik për shtetin. “E vërteta është se 28 nëntori i këtij viti na gjen në një moment jashtëzakonisht delikat për demokracinë. Na gjen në kohë dramatike për shtetin e së drejtës, na gjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare kërcënohet nga falimentimi. Na gjen në një moment ku opozita është jashtë parlamentit dhe parlamenti jashtë binarëve të kushtetutës dhe ligjit, pasi u shkelën të drejtat dhe liritë e votës së lirë”, tha Rama duke shtuar urimin që “28 Nëntori i ardhshëm t’i gjejë edhe më mirë të gjithë shqiptarët”. Duke theksuar faktin se ky përvjetor i gjeti shqiptarët në një betejë qytetare, Rama theksoi se sot më shumë se kurrë ndjehet detyrimi për mbrojtjen e votës.
“28 Nëntori na gjen në një betejë qytetarë, në një përpjekje për liri dhe të drejta, të fituara e kërcënuara, na gjen me vetëdijen e lartë se detyrimi ynë për mbrojtjen e votës së lirë, për mbrojtjen e të drejtës për zgjedhje të lira, është më i madh se çdo interes vetjak i secilit prej nesh. Pas asnjë dyshim se fjala më e lehtë është të mbyllim sytë, por mbyllja e syve do të ishte tradhtia më e rëndë ndaj vlerave dhe votës së popullit”, tha mes të tjerash Rama. Kryetari socialist përcolli nga Vlora urimin për festën kombëtare të Shpalljes së Pavarësisë. “Gëzuar 28 Nëntorin, festën e lavdishme të Flamurit dhe përvjetorin e paharrueshëm të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe gurin e themelit të shtetit shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›