Rama: Berisha të përgjigjet për paktin e propozuar
Kreu i opozitës përsërit ftesën ndaj kryeministrit për një debat publik dhe kërkon një përgjigje për paktin që i ka ofruar maxhorancës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama tha se qeveria ende nuk ka dhënë një përgjigje për paktin me 10 pika që opozita i parashtroi maxhorancës para disa ditësh.
Rama u shpreh i hapur për kundërofertat e qeverisë, përsa kohë që ato plotësojnë nevojat për mbarëvajtje të procesit të integrimit në BE. Por me daullet dhe fyerjet ndaj opozitës në Parlament as nuk trokitet në derën e BE-së dhe ajo as nuk do të hapet ndonjëherë, tha Rama.
Ai u ndal në çështjen e reformës zgjedhore, për bllokimin e të cilës kreu i qeverisë ka akuzuar opozitën. Vetë Saliu po refuzon të pranojë marrëveshjen e propozuar nga ne për reformën, kur më parë ka thënë se do të pranojë çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore, tha Rama.
Rama u shpreh se opozita do të shpalosë problematikën e paktit në një tryezë publike, të ndajmë me njerëzit vizionet tona mbi çështjet si Banka e Shqipërisë, procesi parlametar për reformat e shtetit që kërkojnë 3/5, për kufizimin me Kushtetutë të imunitetit, TVSH-në, KKRT e gjendjen e mediave dhe vazhdimin e refomës zgjedhore.
Shefi i opozitës u ndal në çështjen e kabllogrameve të publikuara në gusht nga Wikileaks, çështje e përfshirë në paktin me 10 pika drejtuar maxhorancës. Qeveria është kapur si i mbyturi pas fijes së barit kur vjen puna te kabllogramet. Të jemi të qartë, kërkesa jonë nuk ka lidhje me amerikanët dhe kontributin e tyre të çmuar në Shqipëri. Ajo ka lidhje me tërë ato tmerre që shqiptarët lexuan për njerëzit e pushtetit të Saliut. Prokuroria të hetojë çdo deputet të përfshirë në ato kabllograme, nëse gjen arsye mbi fakte të lidhura me to, si p.sh. tuneli i Kalimashit dhe ngutja për inagurim.
Rama bëri të ditur edhe një nismë të re të opozitës për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike, e cila do të propozohet në Parlament. Krahas nismës tonë ekonomike të depozituar në Parlament, duhet përgatitur nisma për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike. Shtatori ishte një muaj pozitiv në punën e grupit parlamentar, synojmë që këtë muaj të rrisim akoma më shumë, në mënyrë që të tregojmë si duhet të funksionojë shteti dhe si do të qeverisim ne nesër.