E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmosen 236 mijë receta në 10 muaj sa dyfishi i popullsisë

21/12/2010  Vendin e parë e zënë sëmundjet kardiovaskulare. Shpenzohen dhjetëra milionë lekë për ilaçe

ELBASAN- Rreth 56% e popullsisë së Elbasanit rezulton që të jetë paraqitur njëherë tek mjeku gjatë 10 muajve të vitit 2010. Dhe po të mendohet se janë edhe dy muaj të pallogaritura dhe jemi në stinën e dimrit, statistikat priten të jenë akoma më shqetësuese. Sipas ISKSH në 10 muaj në Elbasan u dhanë 235.318 receta për pacientë të të gjitha kategorive, shifër kjo që ja kalon popullsisë së Elbasanit.

Vetëm ilaçe

Të dhënat tregojnë se vendin e parë për shpenzime e zënë sëmundjet kardiovaskulare (të zemrës e enëve të gjakut), më pas vijnë sëmundjet tumorale, në vend të tretë sëmundjet endokrine e pastaj me radhë sëmundjet e shqisave, urogjenitale, të aparatit të frymëmarrjes etj. Vlen të evidentohet fakti se sëmundjet tumorale zënë vendin e dytë dhe ky përbën një alarm për strukturat dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Sa i përket rimbursimeve, Elbasani e ka tejkaluar si 10-mujor në disa dhjetëra milionë lekë. Plani ka qenë 300 milionë lekë të reja dhe rimbursimi është realizuar në masën 328.659.282 lekë, pra është tejkaluar me 28.659.282 lekë. Siç shihen shifrat janë marramendëse dhe pothuaj në të gjitha qendrat shëndetësore ka tejkalime të planit. Për sa i përket përfitimit nga skema e sigurimeve në Elbasan përfiton vetëm 14% e popullsisë gjë që tregon edhe numrin e madh të qytetarëve që i blejnë medikamentet dhe kryejnë vizitat me para në dorë. Gjatë këtij viti janë shpërndarë 53.020 libreza për qytetarët. Ata janë përballur shpesh me vështirësitë për sa i përket vërtetimit të papunësisë duke i rënë shkurt nëpërmjet vizitave me pagesë.

Statistikat u bënë publike gjatë takimit të përmuajshëm me prefektin e Elbasanit nga ISKSH. Sasia e madhe e recetave justifikohet me rritjen e numrit të personave të sëmurë kronik. Gjithashtu nga ky raport mësohet se ky numër recetash është i barabartë me dyfishin e popullsisë së Elbasanit. Shqetësimi i ngritur ka lidhje me konsumimin e madh të medikamenteve. Specialistët kanë ngritur shqetësimin se lëshohen shumë receta nga mjekët dhe shumica e tyre janë të rimbursueshme. Gjithsesi bëhet e ditur se në dhënien e recetave përfshihen edhe sëmundjet tumorale, të cilat kanë një kosto të madhe dhe shoqërohet me një numër në rritje të sëmundshmërisë. Mësohet se ISKSH ka kërkuar disiplinim të recetave. Kjo sasi e madhe medikamentesh të firmosura tregon edhe sasinë e madhe të medikamenteve që përdorin shqiptarët pa llogaritur cilësinë që shpesh le për të dëshiruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›