Rama-Berisha, rrokadë stilesh
Belina BUDINI
Rama para pasqyrës Pa arsenalin e tij estetik, politikën e stilit e të formës ...që ngritën perdet e kinemasë politike shqiptare në stadin e ri mediatik, Edi ‘pop-star’, kulti i të cilit u farkëtua efektshëm prej tij me ndihmën e mediave, ka humbur sysh. Nuk dihet në ç’sënduk i ka dyllosur petkat “e magjepsura”, por nga gardëroba del çdo mëngjes me kostumin konvencional të “qytetarit” alias “shokut” Rama. Versioni i tij si burokrat e ka zhvlerësuar përfundimisht veten e tij të parë si ‘cooler’. Në mos pastë qenë version autentik apo real, por thjesht ‘extreme make over’, kjo na jep edhe më shumë arsye për të menduar që edhe kjo e fundit nuk është gjë tjetër veç një shfaqje ‘false’ e radhës. Është fjala për performancën e tij si lider i Partisë Socialiste në krye të së cilës po e humbet gradualisht vezullimin e starit të ri.
Që në krye të herës, forma dhe stili kanë mishëruar substancën e kapitalit të tij politik. Falë paletës së ngjyrave të pazakonta dhe politikës spektakël u shndërrua në një legjendë urbane, adhuruar dhe anatemuar njëherazi. Unik për nga mënyrat, mjetet dhe efektet. Eksperimental, i ekzagjeruar, emocional. Të gjitha atribute të mirëfillta politike, të cilat studiuesit i lexojnë si trend rritës në arenat politike rreth e rrotull globit dhe i kanë pagëzuar me etiketën ‘politika të emocionit’. Nga të gjitha këto politika të instinktit Rama, duket se është distancuar përfundimisht, për të dalë me postura ‘të përmbajtura’, tjetër të folur publike dhe sidomos rigoroz me kostume ‘chic’ dhe këmisha të bardha. As çorapet me ngjyra nuk i mbath më… Shkurt, identiteti i tij prej ekstravaganti është bërë pluhur e hi.
Ky transformim i Ramës në krye të PS-së mund të lexohet si përpjekje e tij për të konsoliduar staturën e liderit partiak, por edhe si konsumim i pashmangshëm i aventurës së tij të pandërprerë të pushtetit. Duhet të jetë lodhur së interpretuari ‘pop-starin’! Aq sa nuk shfaqet më as në evente si festa e Pezës që janë krijesa të tij ekskluzive… Spektaklet e haresë i ka zëvendësuar me ‘funerale’ politike ku, ngjashëm me një prift, pëshpërit frymën e re të shëlbimit që do t’i vijë ‘njerëzisë’ nga politika e re e paqes së shenjtë. Disi e përzishme kjo travesti politike!
Në këtë rreth të dytë të ciklit vetasgjësues, Rama kërkon të bindë me versionin gjithëpërfshirës dhe apolitik, duke hequr dorë nga mëkatet e tij të preferuara. Me shpresën se kreshma politike që po mban si lider i PS-së mund ta shpërblejë në jetën e përtejme si kryeministër. A nuk u shpërblye me tre mandate si kryetar bashkie pasi kapërceu njëherë e përgjithmonë ylberin e anarkistit dhe kritikut të ashpër? Mëkatet e pushtetit mund të jenë edhe më të ëmbla se harbimet prej artisti bohem. Fundja, ka një moshë për të gjitha! Nëse në prag të moshës së tretë, do t’ia dalë sërish të jetë bindës me fizionominë e transformuar dhe diskurin neo-populist, atëherë le të jetë kameleoni politik më i suksesshëm në historinë moderne shqiptare.
Berisha para pasqyrës
Ai nuk e ka patur kurrë në favor pasqyrën mediatike. Shëmbëlltyra e tij ka ardhur shpesh e deformuar, konvulsive. Komunikimi i tij publik dhe mënyra e prezantimit vazhdimisht kërcasin si të papërshtatshme. Një lloj anormaliteti figure dhe imazhi e ka shoqëruar rregullisht në arenën mediatike. Këto do të kishin qenë arsye të mjaftueshme për ta bërë një figurë politike të papranueshme në arenën e sotme politike perëndimore. Po aq atipik sa edhe Rama në politikë, Berisha përbën megjithatë një ekzemplar suksesi dhe popullariteti që vetëm në vendet me demokraci të brishta mund të jetë i përfytyrueshëm. Si produkt jashtë serie ka mbetur i pëlqyeshëm dhe i pakonkurrueshëm për kaq gjatë! Por, ashtu si edhe lideri i ri socialist, kryetari historik i demokratëve ka patur momentet e veta të transformimit. Pikërisht në një moment të tillë ndodhet së fundmi.
Në kontrast me Ramën që ka ulur tonet dhe është tërhequr nga spektakli politik, Berisha reflekton përveç autenticitetit që përbën esencën e komunikimit të tij, hapje ndaj kodeve të reja të stilit dhe marketingut politik. Performancat e tij të fundit mediatike flasin qartë për këtë trend. Mediatizimi i analizave qeveritare dhe spoti kundër korrupsionit përbëjnë dy nga shfaqjet e tij të fundit, njëherazi të pacipa dhe efikase. Problematik këtu është momenti kur projektime të tilla të personalizuara marrin natyrën e një fushate publicitare qeverisëse, ambalazhuar si spot kundër korrupsionit. Në përputhje me filozofinë e marketingut politik janë edhe daljet kinse spontane duke notuar në det apo në malin e Dajtit me pantallona të shkurtra si edhe përurimet e mediatizuara në Katund të Ri a gjetkë i veshur ‘casual’, edhe pse firmuar ‘Lacoste’. Kinemaja e tij politike është pasuruar edhe me batuta sarkastike ndaj opozitës, megjithëse bie në sy zbutja e toneve ndaj Ramës. Në kampin tjetër humori mungon krejtësisht ashtu si edhe fryma e batutave të dikurshme të pamëshirshme, të cilat Rama i ka përjashtuar nga diskuri i tij i politikës së re.
Përballë tërheqjes së Ramës, Berisha po i avancon strategjitë e komunikimit politik. Transformimi i tij mund të lexohet edhe si rezultat i pozitivitetit që të injekton justifikimi i pushtetit, që nuk të jep arsye për zemërim dhe revoltë. Në këtë sens, është e kuptueshme heqja dorë nga diskuri ‘tribal’ dhe fyerjet publike që karakterizonin ligjërimin e tij të mëparshëm politik. E ka hequr nga fjalori epitetin ‘Edvin’ ashtu si edhe Rama e ka arkivuar në të shkuarën e harruar Dokor Rrumpallën. Një lloj klime paqeje ka ngjallur jo pak spekulime dhe teori konspirative rreth marrëdhënies së re Rama-Berisha. Por kjo është një temë tjetër. Strategjitë e nëndheshme mbeten përherë të diskutueshme. E përvijuar qartë mbetet strategjia e re publicitare e kryeministrit në një rrokadë stili me liderin e opozitës. Dhe nëse do të arrijë të bindë me këto performance të reja, duke zhvlerësuar bilancin negativ qeverisës pas Gërdecit dhe akuzave për korrupsion, atëherë do të jetë i pari lider post-komunist që do të dalë nga cikli i tij politik me vullnetin e vet dhe jo atë të votuesve, duke regjistruar një rekord të vështirë për t’u thyer në politikën shqiptare…
Në kushtet kur na mungojnë të dhënat nga termometri i popullaritetit për secilin prej dy liderëve kryesorë politikë në Shqipëri, mbetet të presim zgjedhjet për të testuar efikasitetin e modeleve të tyre respektive dhe performancat prej ‘Drag Queen’. Megjithatë, si mishërime të personalizimit ekstrem të politikës shqiptare, që funksionon si orbitë rreth liderit, e ardhmja më e largët do t’i shpërblejë duke i ruajtur në referencë si dinosaurët e politikës moderne shqiptare. Në një cikël natyral, nëse paradigmat e modernizimit do të funksionojnë, pas tyre pritet fluksi i gjeneratës së politikanëve ‘normalë’ si pjesë e elitave që dalin nga shkollat politike të botës moderne, duke i dominuar radhët e ‘auto-didaktëve’ dhe liderëve ‘self-made’ në domenin politik…
* Ky shkrim sintetizon për gazetën pjesë nga botimi monografik i artikullshkrueses rreth personalizimit të politikës në Shqipëri dhe implikimit të mediave (tezë Master e mbrojtur në Goldsmiths College, University of London)