E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berishës: Duam vendimet e qeverisë

Rrëshen-Kalimash: Kryeprokurorja Ina Rama përsërit kërkesën e Sollakut për sekuestrimin e 4 protokolleve të Këshillit të Ministrave
Urdhri i sekuestrimit, Ina Rama: S'mund të them as po as jo. Zyra e Berishës refuzoi 2 herë Sollakun
TIRANË-Dy muaj pas emërimit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama përsërit kërkesën e Sollakut për sekuestrimin e protokolleve të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave për rrugën Rrëshen-Kalimash. Rama i ka dërguar një kërkesë zyrës së kryeministrit Sali Berisha, me anën e së cilës kërkon t'i vihen në dispozicion protokollet e vendimeve me nr. 460, 481, 526 dhe 651, të cilat deri më tash nuk janë lejuar të dalin nga kryeministria. E pyetur nga mediat për këtë kërkesë, Ina Rama është shprehur: "nuk mund të them as po as jo", duke lënë të kuptohet në fakt se rrjedha e hetimit për segmentin e shumëpërfolur kalon medoemos nga zyra e kryeministrit. Ndërkohë, burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme e kanë konfirmuar lajmin, duke u shprehur se: "kemi dorëzuar kërkesën me shkrim për herë të tretë pranë Këshillit të Ministrave, ku kemi kërkuar të lejohet sekuestrimi i katër protokolleve të mbledhjeve të qeverisë, ku është diskutuar në lidhje me hapjen e tenderit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash".
Prokurorët e çështjes Rrëshen-Kalimash kanë dështuar në të dyja tentativat e tyre për të sekuestruar protokollet e mbledhjeve të qeverisë. Sekretari i Përgjithshëm pranë kryeministrisë, Gjergj Lezhja ka refuzuar dhënien e këtyre katër protokolleve, me pretekstin se "protokollet janë sekret shtetëror". Për prokurorinë, refuzimi i dhënies së këtyre dokumentacioneve për dy herë, është cilësuar si shkelje e ligjit me dashje, por nuk është marrë mundimi të hapet një procedim penale për akuzën e "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës", nen ky që parashikohet në Kodin Penal të legjislacionit shqiptar. E njëjtakërkesë mësohet se është përsëritur edhe nga vetë kryeprokurorja Ina Rama gjatë takimit të ditës së mërkurë me shefin e qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Tashmë pritet reagimi i zyrës së kryeministrit, që në dy rastet e para e ka cilësuar hetimin e drejtuar nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku si politik.
Protokollet e katër mbledhjeve të qeverisë, ku janë miratuar 4 vendime të paligjshme për organin e akuzës nxorrën në pah mungesën e funksionit të hallkave shtetërore dhe mungesën e transparencës, nga ana e qeverisë. Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë vendosi që në të dy rastet të injorojë urdhrat eprokurorëve, duke i kthyer mbrapsht ata me duart bosh. Në fakt, Lezhja ka ndjekur të njëjtën procedurë si edhe në hetimin e parë të prokurorisë së Tiranës, para se dosja të kalonte për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme. Ai ka lejuar prokurorët e akuzës t'i shohin me sy procesverbalet, por nuk ka toleruar në kërkesën e tyre për t'i sekuestruar ato. "Në të dy rastet e mëparshme, prokurorëve u është lejuar t'i lexojnë procesverbalet, por kur kanë kërkuar që të katër protokollet e vendimeve me nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 të sekuestrohen, me arsyen se janë të vlefshme për hetimin, drejtuesit e administratës së kryeministrit nuk kanë pranuar në mënyrë kategorike fotokopjimin e tyre, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 301 të Kodit Penal, atë të "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës",-sqarojnë për "Shekullin" burime nga grupi hetimor.
NENI 301
"Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës"
Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Bregu: Mungesa e dënimeve alternative, mangësi në raportet e KE-së
Dënimet alternative, një tryezë për ndryshimin e ligjit
TIRANË- Ose në burg, ose i lirë. Këto janë dy vendimet që të ofron drejtësia shqiptare, duke lënë jashtë funksionit dënimet alternative, që do të sillnin minimalisht trajtim më njerëzor të autorëve dhe ulje të ndjeshme të mbipopullimit të burgjeve. Në një takim të organizuar nga Prezenca e OSBE në Tiranë dhe Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë, me mbështetje të Ministrisë së Integrimit dhe asaj të Drejtësisë, dënimet alternative janë parë si një mënyrë e mirë për një sërë kategorish. Sipas ministrit të Drejtësisë, Alibeaj,programi i qeverisë ka pasur si objektiv përmirësimin dhe krijimin e bazës legjislative dhe me pas implementimin në praktikë të dënimeve alternative, si një nga metodat me bashkëkohore dhe të përhapura në të gjithë sistemet e drejtësisë penale. Ndërkohë, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu pohoi se një nga mangësitë e vërejtura vazhdimisht në Progres Raportet e KE-së për Shqipërinë është mungesa e dhënies dhe zbatimit të dënimeve alternative. Gjatë tryezës së rrumbullaktë, Bregu bëri apel në emër të të miturve, të rinjve nën moshën 21 vjeç me nevoja të dokumentuara shëndetësore, të grave shtatzëna e nënave me fëmijë, nën moshën 10 vjeç që jetojnë me ta për aplikimin e këtyre dënimeve.Sipas saj, meqë pjesa më e madhe e të miturve dhe grave që ndodhen në qeli kanë për të vuajtur pak muaj burg, ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë që gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit gjer në 2 vjet me qëndrim në shtëpi për disa kategori të dënuarish kur plotësohen rrethana të veçanta. Sipas Bregut, dhënia e këtij dënimi në vend të burgosjes, ka disa efekte pozitive, jo vetëm sepse lehtëson mbingarkesën e sistemit të vuajtjes së dënimit por efekti riedukues për këto kategori personash është më i madh. "Ndryshimi i Kodit Penal do të rrisë numrin e sanksioneve me punë në komunitet, që mund të jepen, si dhe do të njohë rolin e Shërbimit të Provës në mbikëqyrjen e të dënuarve në komunitet", tha Alex Finnen,-përfaqesuesi i OSBE-së në Tiranë. F.Vezaj
DORËHEQJA 2
Dorëhiqet Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë
TIRANË- Dorëheqja e këshilltarit për mediat i ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Agim Neza, është pasuar dje me dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të organit qendror të akuzës. Në tavolinën e kryeprokurores Ina Rama dje ndodhej edhe dorëheqja për arsye personale e Stavri Koçollari. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës e konfirmuan lajmin, duke saktësuar se ka qenë vetë Sekretari i Përgjithshëm, Koçollari që ka kërkuar nga kryeprokurorja Rama të pranojë dorëheqjen e tij, që ka si motivim arsyet personale. "Gjatë ditës së djeshme, Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë së Përgjithshme ka dorëzuar në zyrën e kryeprokurores Ina Rama kërkesën për dorëheqje, duke dhënë si shkak arsyet personale"-thuhet nga burimet, të cilat konfirmohen edhe nga vetë Koçollari. Kështu, me kërkesën e djeshme për dorëheqje shkon në dy, numri i bashkëpunëtorve të ngushtë të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku që largohen nga postet e larta të institucionit qendror të akuzës. Sipas këtyre burimeve, thuhet se dy zyrtarët që kanë kërkuar dorëheqjen do të qëndrojnë deri në fund të këtij muaji në detyrë dhe më pas do ia dorëzojnë zyrën drejtorit të Personelit, në pritje të emërimeve të reja në këto detyra. F.Vezaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›