E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Përkrahja sociale duhet e denjë dhe efikase

"Na duhet një program i ri për ta jetësuar politikën e re, përmes reformash rrënjësore, për të cilat vendi ka nevojë jetike"
TIRANË- Lufta ndaj papunësisë është mënyra më e mirë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë sociale që ka shoqëruar atë gjatë gjithë tranzicionit. Ky është mesazhi që ka përcjellë dje kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë takimeve të tij në rrethin e Fierit në kuadër të turit të tij të "Dialog me Shqipërinë". Duke i konsideruar problemet sociale si tepër të mprehta, kreu i selisë rozë është angazhuar se së bashku me gjithë socialistët dhe progresistët do të bëj të mundur hartimin e një programi politik dhe qeverisës i cili do të mund t'i japë fund kësaj periudhe të vështirë. Ai ka ripërsëritur edhe një herë idenë e tij për të shfuqizuar të gjitha ato skema që rrisin parazitizmin në vend, duke theksuar në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e përkrahjes sociale sa më të denje e efikase. Edhe një herë ai ka bërë të qartë se sot vendit i duhen politika të qarta sociale, që konstatojnë në hapjen e vendeve të punës dhe stimulimin e të gjithë atyre individëve që kanë dëshirë të punojnë, por që nuk kanë mundësi për ta bërë një gjë të tillë. "Na duhet një program i ri për ta jetësuar politikën e re, përmes reformash rrënjësore, për të cilat vendi ka nevojë jetike. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se sot shoqëria shqiptare është një organizëm me plagë të mëdha sociale, që vuan çdo ditë. Kjo po krijon dita ditës një shoqëri të ndarë thellë, përditë e më thellë, mes një pakice gjithmonë e më të vogël që pasurohet gjithnjë e më shumë dhe një shumice gjithmonë e më të madhe që varfërohet gjithmonë e më shumë. Ne, Partia Socialiste, socialistët dhe progresistët shqiptarë, në rast se vërtetë duam ta meritojmë këtë emër dhe duam të jemi të denjë për këtë filozofi politike që kemi zgjedhur, duhet të gjejmë të gjithë kurajën dhe forcën e imagjinatës, për të konceptuar dhe jetësuar një politikë të re sociale. Një politike të re sociale, e cila të marrë në konsideratë domosdoshmërinë jetike, për ta nxjerrë këtë vend nga këneta e lëmoshës dhe për ta futur në rrugën e zhvillimit", - u shpreh Rama në fjalën e tij. Gjithashtu ai ka siguruar se nëpërmjet një politike të kujdesshme do të mund të që të zvogëlohen dhe dallimet në trajtimin asaj shtrese të pafajshme siç janë fëmijët. Në këtë drejtim kryesocialisti ka theksuar se është e pafalshme që në Shqipëri sot ekzistojnë dallime të mëdha në trajtimin e fëmijëve që jetojnë në një qytetet të dorës së parë nga ata që jetojnë në qytete të dorës së dytë apo në fshatra. "Ne duhet të reformojmë të gjithë shtetin shqiptar. Ne duhet të reformojmë gjithë institucionet shqiptare. Ne duhet të reformojmë të gjitha mënyrat e funksionimit të sistemeve brenda sistemit të sotëm të organizimit. Ne do ta shohim këtë çështje të këtyre plagëve sociale që vazhdojnë të thellohen, si një çështje të lidhur me të gjitha sistemet e tjera duke filluar nga sistemi i edukimit nga çerdhet, kopshtet, shkollat etj", - u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›