Shkupi: Vendosja e vizave, faji i qeverisë shqiptare
Ministria e Punëve të Jashtme: Nuk ka regjim të ri të vizave me Shqipërinë, vetëm zbatohet Ligji për qëndrim dhe lëvizje të të huajve
Qeveria maqedonase akuzon Tiranën: Më 14 dhjetor 2007-të pala shqiptare u njoftua për Ligjin e miratuar
Shkup, 10 janar (MIA) - Nuk ka vendosje të regjimit të ri të vizave mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe nuk ndryshohet politika e vizave ndaj këtij vendi, thuhet në kumtesën e sotme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të RM-së.
Me këtë, siç thuhet në kumtesë, "MPJ-ja dëshiron t'i përgënjeshtrojë informatat që hidhen në opinion lidhur me politikën maqedonaso-shqiptare të vizave".
"Nuk vendoset regjim i ri i vizave mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, por vetëm rregullohet mënyra e dhënies së vizave të Maqedonisë. Vizat, në pajtim me Ligjin e ri për qëndrim dhe lëvizje të të huajve, që ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, prej tani e më tutje do të jepen vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Maqedonisë, e kjo vlen për të gjitha shtetet me të cilat Maqedonia ka politika të vizave. Norma e tillë është në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian, ndërsa është pjesë edhe e kushteve për lehtësimet e vizave me vendet anëtare të BE-së dhe për procesin e liberalizimit të mëtejmë të vizave", kumton MPJ-ja. Institucionet kompetente, thuhet në kumtesë, janë të obliguara të veprojnë në pajtim me Ligjin për qëndrim të të huajve, që është miratuar nga ana e Kuvendit në maj të vitit të kaluar. MPJ-ja kumton se Ligji është miratuar pa asnjë votë kundër dhe për këtë shkak, siç thotë, "kritikat e disa deputetëve i vlerëson si tentim për manipulim politik me opinionin".
"Të çudit fakti që disa deputetë të cilët as që janë prononcuar, as kanë dhënë vërejtje lidhur me Ligjin, derisa i njëjti ka qenë në procedurë kuvendore, sot, pas shtatë muajve të miratimit të tij, e kritikojnë pushtetin ekzekutiv për zbatimin e tij. Nëse kërkohet çfarëdo ndryshimi ose plotësimi i këtij Ligji, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është adresa e duhur për iniciativa të tilla", thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme kumton se angazhohet për politikë sa më të lehtë me të gjithë fqinjët, por me respektim të marrëveshjeve bilaterale dhe parimeve të BE-së.
"Në këtë drejtim, na vjen keq që në vitin 2007-të Shqipëria njëanshëm është tërhequr nga Marrëveshja bilaterale për udhëtime të ndërsjella. Ripërtëritja e kësaj Marrëveshje bilaterale edhe më tej është pjesë e konsultimeve të dy ministrive të Punëve të Jashtme, mbledhja e fundit e të cilave në nivel profesional u mbajt më 14 dhjetor, vitin e kaluar, në Tiranë. Në mbledhje, pala shqiptare edhe një herë u njoftua për Ligjin e miratuar për qëndrim dhe lëvizje të të huajve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. Delegacioni i Maqedonisë shprehu pritje se Qeveria e Shqipërisë do ta shqyrtojë mundësinë për heqjen e taksave hyrëse për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa kurrfarë diskriminimi. Njëkohësisht është nënvizuar rëndësia e planeve për hapje sa më të shpejtë të vendkalimeve të reja kufitare mes dy shteteve, me çka në mënyrë të konsiderueshme do të lehtësohej kalimi i njerëzve", thuhet në kumtesë.
MPJ-ja përmend edhe se "Marrëveshja për qarkullim kufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nga viti 1997 ende është në fuqi dhe se ajo mundëson kalim të kufirit vetëm me leje të posaçme, e ka të bëjë me qytetarët që jetojnë në rripin kufitar në gjerësi prej 30 kilometrave, që i përfshin komunat kufitare".
Takimi
Ministria e Jashtme, sqarime nga ambasadorja maqedonase
Çështja e shumëdebatuar e regjimit të vizave ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë sonë të Jashtme. Ministria e Jashtme ka deklaruar zyrtarisht se thirri dje në takim për çështjen e vendimit të vizave ambasadoren maqedonase në Tiranë Bllogorodna Mingova Krepjeva. Pala shqiptare i paraqiti përfaqësues së shtetit maqedonas shqetësimin lidhur me vendimin e palës maqedonase për vizat. Zyrtarët shqiptarë kërkuan që autoritetet maqedonase të tërheqin vendimin i cili krijon shkak për vendosjen e barrierave mes dy vendeve. Pala shqiptare u shpreh se është e angazhuar për bisedime të menjëhershme dypalëshe në funksion të marrëdhënieve mes dy vendeve që i përgjigjet stadit aktual të tyre dhe që në të ardhmen sjell rritjen e komunikimit mes dy tyre. E tashmja dhe e ardhmja, - thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë sonë të jashtme - kërkon heqjen e barrierave kufizuese dhe shtim të kontakteve mes njerëzve. Qeveria maqedonase konfirmoi dje zyrtarisht se vendos një sistem vizash me Shqipërinë, të përafërt me vendet e BE-së për Shqipërinë duke filluar që nga 1 marsi i këtij viti, vendim i cili ka sjellë kundërshtimin e faktorit shqiptar këtu dhe në Maqedoni.
Punonjësit kufitarë gjejnë si pretekst siguracionin për jetën, që nuk është kërkuar më parë
Tushemisht, maqedonasit kthejnë pas 50 biznesmenë pogradecarë
Pogradec- Nëse kërkon të udhëtosh në Maqedoninë fqinje tanimë do të duhet të paguash dhe siguracionin për jetën, ndonëse ky rregull nuk ekziston i shkruar në asnjë rregullore. Kjo është kërkesa më e re me të cilën përballesh në sportelet e pikave kufitare të shtetit fqinj, kërkese për të cilën nuk janë vënë në dijeni as autoritetet shqiptare nëpërmjet ndonjë shkresë zyrtare nga homologët e tyre. Vendosja e regjimit të vizave me Shqipërinë nga shteti maqedonas nga data 1 mars, duket se ka sjellë dhe reagimet e para negative nga ana e punonjësve në pikën kufitare të Tushemishtit. Pas njoftimit të qeverisë së Shkupit menjëherë kanë nisur dhe masat shtrënguese në kufi nga ana e përfaqësuesve të policisë së shtetit fqinj ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë që synojnë këtë shtet. Duke iu referuar burimeve të mirëinformuara të policisë shqiptare pranë pikës së kalimit në Tushemisht, mësohet se maqedonasit ndërsa një ditë më parë kanë penguar të hyjnë lirisht rreth 50 biznesmenë shqiptarë kryesisht pogradecarë, duke i kthyer pas për mungesë dokumentacioni, kanë nxjerrë si pretekst të tyre mungesën e sigurimit të jetës. Në fakt siguracioni ndaj jetës duhet të kërkohet me startin e regjimit të vizave të vendosur nga qeveria maqedonase, ndërsa kjo kërkesë duket se nuk është e bazuar në ligj gjatë këtyre momenteve. Përfaqësuesit e policisë shqiptare jo vetëm në Tushemisht, por dhe në pikat e tjetra të kalimit në juglindje si në Qafë-Thanë dhe Gorricë informojnë udhëtarët shqiptarë të paguajnë sigurimin e jetës për të mos u përballur me kërkesën e mungesës së saj dhe më pas me kthimin mbrapa të atyre që ndërmarrin udhëtimin për arsye të shumta drejt vendit fqinj. Në fakt situate ka ndryshuar menjëherë ku policët maqedonas janë bërë më të ashpër dhe me shtetasit shqiptarë që vijnë nga Shqipëria, ndërsa gjatë të enjtes nuk kanë kthyer pas asnjë udhëtar, ndryshe nga sa ka ndodhur një ditë më parë ku janë treguar të ashpër dhe me vetë tregtarët pjesa më e madhe e të cilëve është e pajisur me viza nga ambasada maqedonase në Tiranë. Aktualisht me Maqedoninë vazhdon të jetë në fuqi marrëveshja mes dy shteteve e vendosur shumë vite më parë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë mund të hyjnë lirisht pa viza, duke paguar në kufi një taksë prej vetëm 10 eurosh. Prej dy ditësh në pikën maqedonase të kalimit ndërkufitar në Tushemisht janë shfaqur kërkesa të panjohura më parë, si ajo e sigurimit të jetës pranë kompanive shqiptare të sigurimit, një kusht i cili vlen për regjimin e ri të vizave që do të nisë nga data 1 mars e këtij viti. Sipas burimeve të policisë shqiptare në këtë pikë kufitare, pavarësisht nga kjo sjellje e ndryshme e homologëve të tyre maqedonas, ka nisur të informohen të gjithë udhëtarët të cilët kanë nisur të paguajnë në kufi për sa ditë do të zgjasë dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Maqedonisë.
Reagimet
Ohër, komuna kundër vendimit për regjimin e vizave
Kryetari i Komunës së Ohrit, Aleksandar Petrevski, do të kërkojë shtyrjen e vendimit për regjimin e ri të vizave me Shqipërinë. Regjimi i ri i vizave me Shqipërinë erdhi si një "rrufe nga qielli i pastër", shpreh për BBC, zoti Aleksandar Petrevski. Qyteti që ai drejton është kryesori në hartën turistike të vendit dhe ai thotë se thuajse të gjithë në Ohër, punonjësit hotelierë, tregtarët dhe banorët janë kundër vendimit të qeverisë së Maqedonisë për regjimin e vizave me Shqipërinë. Z. Petrevski sugjeron që Ministria e Jashtme në Shkup të bëjë të njëjtin veprim siç bëri Bullgaria me Maqedoninë: "Kur Bullgaria do të vendoste viza për Maqedoninë, e shtyu këtë vendim për më shumë se një vit. Mendoj se këtë duhet ta bëjë edhe qeveria e Maqedonisë. Ky vendim duhet të shtyhet maksimalisht, sepse do të ketë pasoja negative për gjithë rajonin".
Kryetari i komunës së Ohrit, Aleksandar Petrovski, i cili thotë se reagimi i tij vjen edhe në emër të qyteteve Strugë, Dibër, Manastir në Maqedoni, por edhe Korça dhe Pogradeci në Shqipëri. Ai me anë të një letre do të kërkojë zyrtarisht nga Ministria e Jashtme që të tërhiqet nga ky vendim. Autoritetet në Shkup më herët thanë se vendimi ka të bëjë me zbatimin e një ligji që ka hyrë në fuqi më 1 Janar dhe që është sipas standardeve evropiane. Subjektet politike, sidomos ato shqiptare, veç PDSH-së në qeveri, kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Sipas tyre bëhet fjalë për një masë të palogjikshme që do të pengojë komunikimin mes dy vendeve, por sidomos atë ndërshqiptar.
BDI: Brukseli të ndikojë për anulimin e vendimit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar i shqetësuar pas vendimit të Shkupit për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. BDI thekson se ky vendim do të nxisë dhe stimulojë kalimet ilegale të kufijve. Në një komunikatë publike të kësaj force politike shqiptare në Maqedoni thuhet se shihet hapur tendenca dhe standardet e dyfishta që i aplikon Qeveria për vende të ndryshme. BDI vlerëson se ky vendim është i gabuar në kohën kur të gjitha vendet e rajonit angazhohen për fqinjësi të mirë, për bashkimin e kapaciteteve për t'u integruar në strukturat euro-atlantike. "Në kohën kur vendet e Ballkanit perëndimor janë anëtare të CEFTA-s dhe kur bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë jemi anëtare të Kartës së Adriatikut, dhe bashkërisht presim ftesën për anëtarësim në NATO, Qeverisë së Maqedonisë i shkon ndër mend të vendosë viza për vendet fqinje", thuhet më tutje në komunikatë. BDI thekson se ky vendim do të nxisë dhe stimulojë kalimet ilegale të kufijve dhe njëkohësisht nuk është mekanizëm për parandalimin e kontrabandës. BDI i bën thirrje ndërkombëtarëve përfshi këtu edhe Brukselin të ndikojnë në anulimin e këtij vendimi.