E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, 16 vjet burg për tutorin e këngëtares

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Jani Tafën. Ka shfrytëzuar për 6 muaj në Itali një këngëtare
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje dënimin e parë për këtë vit, për një të akuzuar për trafik prostitucioni. Jani Tafa u shpall dje fajtor dhe u dënua me 16 vjet burg dhe 6 milion lekë gjobë për trafik të femrave për prostitucion, të kryer me dhunë psikike dhe fizike. Sipas vendimit të dhënë dje gjatë drekës nga togat e zeza, i pandehuri Tafa me anë të mashtrimit për një lidhje serioze, e ka dërguar vajzën me iniciale E.I. në Greqi dhe më pas në Itali, ku e ka shfrytëzuar duke e detyruar të shesë trupin për 6 muaj. "Pas shqyrtimit të dosjes nga themeli, duke administruar një sërë provash materiale, dëshmi të dëshmitarëve të ndryshëm, dëshmisë së vetëkallëzueses dhe dëgjimin e konkluzioneve përfundimtare të prokurorit dhe avokatit mbrojtës vendosëm deklarimin fajtor të të pandehurit Jani Tafa për kryerjen e veprave penale të "trafikut të femrave për prostitucion" kryer me dhunë psikike dhe fizike dhe akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Për konsumimin e këtyre veprave penale, gjykata vendosi përfundimisht dënimin e të pandehurit me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë",-thuhet në leximin e diapozitivit nga kryesuesja e pesëshes gjykuese, Liljana Baku. Ndërkohë, në seancën e dy javëve më parë, prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Julin Papa lexuan pretencën dhe kërkuan nga gjykata të njëjtën masë dënimi. Sipas vendimit, në muajin gusht të vitit 2005 gjatë kohës që viktima E.I. punonte si këngëtare në një lokal në Durrës, i pandehuri është njohur me të, duke shkëmbyer edhe numrat e telefonit për të lënë një takim për kafe. Pas disa takimeve, i pandehuri Tafa dhe vajza kanë krijuar lidhje dashurie mes tyre. Pas një kohe të shkurtuar të lidhjes së tyre, i pandehuri i ka propozuar të shkojnë bashkë në Itali për të punuar dhe më pas të kthehen në Shqipëri për t'u martuar. Nga muaji shtator 2005, kur vajza ka kaluar në Itali, i pandehuri Jani Tafa e ka detyruar me anë të dhunës psiqike dhe fizike të punojë si prostitutë në rrugët e Milanos. Nga ushtrimi i prostitucionit viktima ka treguar se nxirrte rreth 400-500 euro në natë, të cilat ia dorëzonte të pandehurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›