I mbijetuari i masakrës së Cërrikut: Bozi dhe Xhepaxhiu ishin organizatorët
Një i mbijetuar nga masakra e Cërrikut në vitin 1997 ka treguar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda orët e tmerrit të 22 majit, ku mbetën të vrarë gjashtë gardistë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Luan Prenga ka rrëfyer për më shumë se tre orë ngjarjen, ndërsa tregoi me gisht autorët e kësaj masakre. Sipas tij, dy të pandehurit Met Bozi dhe Roland Xhepexhiu, ishin organizatorë të këtij tmerri. Ai tha se banditët e Cërrikut, pas vrasjes së kolegëve, u janë afruar kufomave duke i grabitur dhe më pas kërkuan që t’u vinin flakën. Dëshmitari është pyetur nga prokurori Anton Martini. Ai tha se aktualisht është me detyrë inspektor pyjesh, ndërsa në fund të vitit 1996 ka shërbyer në Gardën e Republikës deri në fund të vitit 1997, ku vendosi të largohej me anë të një kërkese. “Për ngjarjet e vitit 1997 ne ishim në dispozicion të Gardës dhe të Ministrisë së Brendshme. Unë kam qenë komandant i grupit tim, që merreshim me operacione nëpër ngjarje; më shumë kemi kryer operacione në Tiranë sesa jashtë saj. Kam qenë në Elbasan për një mision. Shkuam atje pasi kishte ngjarje të pazakonta, ishte problemi i komisariatit që ishte sulmuar. Komandanti Arjan Cenga na mblodhi dhe na dha urdhrin për t’u nisur në Elbasan dhe na tha se do të shkonim atje për të ndihmuar dhe për t’i dalë në mbështetje strukturave shtetërore, pasi kishte probleme. Komandant Cenga na mblodhi në mbrëmje dhe për arsye sigurie u nisëm pak pas mesnate drejt Cërrikut”, tregoi Luan Prenga, duke shtuar se ata kishin kërkuar me këmbëngulje që të pajiseshim me armatimin ekstra, pasi ishte kohë trazirash. “Por, vijoi ai, armët që na u dhanë ishin thjesht figurative dhe nuk u pajisëm me armatime të forta dhe kjo për të ruajtur edhe banorët. Na dhanë vetëm një pistoletë me nga një karikator. Kur arritëm në Elbasan mbërritën edhe forca të tjera. Ndërkohë që nga reparti ynë ishim rreth 22 veta të ndarë nëpër grupe të vogla”. Dëshmitari tha se gjatë qëndrimit në Elbasan morën vesh se në Cërrik po ndodhnin ngjarje të pazakonta dhe ishin ngritur postblloqe nga banda kriminale gjatë rrugës. “Komandanti Arjan Cenga na kërkoi që të merrnim në mbrojtje Cërrikun, pasi bandat kriminale kanë ngritur postblloqe gjatë rrugës dhe madje edhe një grua shtatzënë ka lindur në postbllok. Në Elbasan erdhën mjete të blinduara dhe unë hipa në njërin prej tyre bashkë me grupin tim. Në grupin tim ishte Qemal Mehmeti, Vladimir Minova, Petrit Gjoka, si edhe dy persona të tjerë. Kemi kapur një person, i cili ishte i armatosur me një kallash. Kur hymë në qytetin e Cërrikut kishte edhe forca të tjera, të cilët ishin të Policisë së Shtetit”, deklaroi dëshmitari. Luan Prenga vijoi dëshminë duke kujtuar momentin e përplasjes me banditët e zonës. Ai tha se njëri nga blindat u qëllua me granatë hedhëse. Në atë moment filloi goditja me armë nga tarracat e pallateve dhe nga brenda kinemasë. “Aty pamë disa shokë tanët që po digjeshin. Fati i keq i yni ishte që blinda mori flakë menjëherë dhe nga aty doli përjashta duke ulëritur Sali Martini. Ne e morëm në krahë dhe e vendosëm te rruga ku ishte një dyqan. Aty Sali Martini ka dhënë shpirt, pasi kishte marrë plumba në gjoks. E gjithë kjo zgjati rreth 45 minuta. Në këto momente unë pashë Petrit Gjokën, që u plagos në këmbë dhe u nisa drejt tij për ta ndihmuar. Plagosem në këmbë dhe një cifël granate më futet në mes. Isha shumë i nxehtë dhe nuk e kam ndier plagën fare. Nuk arrita dot që ta ndihmoja Petrit Gjokën, pasi u plagosa, por i thashë që të shtrihej. Aty erdhi për të më ndihmuar Qemal Mehmeti. Më vonë mora vesh se Qemal Mehmeti u vra. Në këto momente kam parë një grup njerëzish të armatosur që dolën nga kinemaja dhe lëviznin nëpër rrugë. Ishin ata që dhunuan madje edhe kufomat e kolegëve të mi. Pashë që po qëllonin me armë dhe të tjerë rreth tyre buzëqeshnin. Për sa u përket kufomave këta i zhvishnin, i qëllonin, i merrnin lekët. Ishte e tmerrshme dhe nuk kam për ta harruar kurrë. Erdhën një grup prej 16 vetash dhe më çuan në një shtëpi. Na mbajtën peng te kjo shtëpi, na rrahën dhe na torturuan. Met Bozi ka ardhur me një kameraman dhe na bëri shumë pyetje. Kush jeni ju? A e dini që ju vrasim se ju jeni ushtarë të veriut që mbroni Sali Berishën? I thashë se ne kemi ardhur për të mbrojtur popullin dhe jo për të vrarë. Met Bozi na ka bërë presion psikologjik. Pasi iku ai erdhi Roland Xhepexhiu dhe më gjuajti me automatik në kokë, por ndërhyri familja dhe ai nuk më vrau”, vijoi rrëfimin dëshmitari, duke shtuar se Roland Xhepexhiu bënte organizimin e grupit të armatosur te lulishtja ditën e masakrës. “Petrit Gjoka u lirua para meje. Dhunimin e kufomave e bënte Met Bozi, nuk do e harroj kurrë atë skenë. Ai urdhëroi që të digjeshin kufomat me benzinë dhe po të mos bërtisnin banorët kjo gjë do të bëhej”, përfundoi dëshminë i mbijetuari i masakrës së Cërrikut.
#