E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Borxhi ka arritur në 100 përqind të PBB

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një tryeze të organizuar për politikat fiskale, tha se tanimë në Shqipëri borxhi ka arritur në 100 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rama tha se për shlyerjen e borxhit ne shpenzojmë [në vit] më shumë se fondet për arsimin dhe shëndetësinë dhe dyfish më shumë se sa fondi për bujqësinë. Ai shtoi se borxhi publik pas vitit 2005 është rritur me 3 miliardë dollarë dhe rritja e tij e vazhdueshme i kushton çdo familjeje 55 dollarë në muaj.

As privatizimet nuk e pakësuan borxhin publik theksoi Rama – E vetmja konsekuencë e privatizimeve është rrënimi i sektorëve të energjisë dhe naftës. Ne nuk jemi kundër privatizimeve në vetvete por mënyra sesi privatizimet janë bërë deri këtu është mënyra më shembullore për të privatizuar në funksion të interesave të sotme të pushtetit dhe blerjes së ardhmes për pushtetin.

Vetë qeveria e pranon sot se në Shqipëri konsumi taksohet 3 herë më shumë se fitimi dhe pasuria. Një familje shqiptare e zakonshme është 3 herë më shumë e taksuar se një kompani që fiton apo një i pasur. Si pasojë rezulton se 10 kompani në Shqipëri edhe pse kanë 12% të xhiros së tyre në Shqipëri kanë 37% të fitimit që realizohet.

Lideri socialist solli në vëmendje se vite më parë PS propozoi qetësimin e klimës së acaruar me biznesin por nuk u bë asgjë. Një tjetër propozim ishte realizimi i një ngrirje e rritjes së taksave dhe tatimeve dhe të shihet mundësia për ulje të përkohshme të taksave për biznesin më të rrezikuar nga kriza. Nuk u bë asgjë. Të rinegociohet kredia tregtare në valutë e marrë gjatë viteve të fundit që ka rritur ndjeshëm koston e borxhit në buxhet. Nuk u bë asgjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›