Shpërndahen protestuesit, forca të shumta policore në Shkup (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Protestuesit janë shpërndarë rreth orës 20.00 dhe nëpër rrugët në pjesën qendrore të Shkupit janë të pranishme forca të shumta policore.
Shpërndarja e tyre erdhi pasi protestuesit qëndruan për disa minuta pranë Parlamentit të Maqedonisë, të rrethuar nga forca të shumta policie.
Ata iu sulën Parlamentit pas përballjes me njësitet speciale, që penguan depërtimin e tyre drejt Bit Pazarit dhe lagjeve shqiptare të Çairit, informon agjencia e lajmeve INA.
Protestuesit, shumica prej tyre të rinj të maskuar dhe me kapele po brohorisin parulla antishqiptare dhe raciste.
Situata po mbretëron e tensionuar, pasi në rrugët kryesore të kryeqendrës nuk ka lëvizje të qytetarëve.
Protestuesit, kryesisht të përbërë nga huliganë maqedonas dhe tifozët “Komiti” të klubit Vardar, gjatë përleshjes me policinë kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta, ku nuk kanë kursyer as gazetarët dhe kalimtarët e rastit.
Turma e protestuesve ka ftuar familjet e viktimave dhe banorët e Radishanit ti bashkëngjiten protestës së tyre pranë Parlamentit, për të kërkuar zbardhjen urgjente të vrasjes së pesëfishtë që ndodhi natën e së enjtes në periferi të Shkupit.
Deri tani nuk janë dhënë detaje dhe informacione për të lënduar dhe dëmet e shkaktuara nga protesta e dhunshme. Siç mëson agjencia e lajmeve INA janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe qytetar të lënduar, por ka dyshime për të lënduar edhe nga radhët e policisë. Sipas njoftimeve jozyrtare, është thyer xhami i një makine të policisë, janë thyer xhamat e disa dyqaneve, sulme me gurë të autobusëve, dëmtim të billbordeve dhe dëme të tjera materiale. (INA)
***
Njësitet policore të ndërhyrjes së shpejt kanë sulmuar dhe shpërndarë turmën e protestuesve maqedonas, duke mos i lejuar që të futen drejt bulevardit për në Bit Pazar.
Gjatë kësaj përleshje, protestuesit kanë rezistuar dhe sulmuar policinë me sende të forta dhe me gurë, mirëpo ato janë shpërndarë, duke ikur në drejtime tjera të Shkupit.
Njësitet policore kanë bllokuar aksin kryesor të rrugës që çon drejt lagjes Çair dhe drejt Bit Pazarit, lagje këto të banuara me shumicë shqiptare.
Turmat e revoltuara kryesisht të përbëra nga huliganë maqedonas të maskuar kanë vazhduar të marshojnë drejt rrugëve të tjera. Gjatë eskalimit të kësaj situate, grupet e protestuesve kanë sulmuar me gurë edhe mediat, me ç`rast janë goditur disa operatorë të mediave. (INA)
18:14 – Turma e protestuesve maqedonas nga Qeveria është nisur drejt Bit Pazarit dhe lagjes Çair, informon reporteri i agjencisë INA.
Policia ka ndjekur ata has pas hapi, mirëpo duke mos ndërhyrë në parandalimin e marshit të tyre drejt lokalitetit që banohet me shumicë shqiptare.
Situata vlerësohet e tensionua dhe se pritet evitimi i kësaj turme për të shmangur ndonjë incident me përmasa më të mëdha. Turma është e irrituar edhe ndaj mediave dhe se nuk lejohet afrimi i ekipeve të gazetarëve dhe xhiruesve.
Gjatë tërë marshimit të tyre kanë vazhduar parullat antishqiptare dhe raciste kundër shqiptarëve.
17:40 – Protestuesit kanë ndaluar para Qeverisë duke thirrur parulla anti- shqiptare dhe kundër policisë “Shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur”, “Policia e shqiptarëve”, “Vdekje për shqiptarët”.
Protestuesit janë kryesisht të rinj me fytyra të mbuluara dhe kapela të ashtuquajtura ‘fantome’, të cilët kanë theksuar se me ta pritet të solidarizohen edhe banorët e lagjes së Radishanit, nga ku janë viktimat e vrara.
Policia është në vëzhgim të situatës dhe se po mbahet në kontroll turma e grumbulluar me pankarta para Qeverisë. Rrugët e kryeqytetit janë të boshatisura në pjesën qendrore dhe se vërehen lëvizje të pakta.
17:04 – Një turmë prej dhjetëra maqedonas në këto momente po marshojnë rrugëve në pjesën qendrore të Shkupit, me ç`rast ato kanë sulmuar me gurë disa makina të taksive shqiptarë me targa të Tetovës.
Sipas reporterit të agjencisë së lajmeve INA, që po ndjekë lëvizjen e turmës, ata kanë lëvizur drejt bulevardit kryesor duke qenë pjesë e një marshi kundër vrasjes së pesëfishtë në periferi të Shkupit.
Turmat përbëhet kryesisht nga mbi 50 të rinj maqedonas, të maskuar me kapela në kokë, duke brohoritur parulla për Maqedoninë dhe parulla antishqiptare dhe raciste.
Turma gjithashtu është afruar drejt disa përmendoreve të projektit Shkupi 2014, duke qëndruar për disa minuta pranë tyre në shenjë nderimi.