E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Borxhi publik 100% i GDP-së. Qeveria manipulon shifrat

Shkurtimi i buxhetit në këto përmasa nuk është zgjidhja për të dalë nga kriza sipas kryesocialistit Edi Rama për të cilin borxhi publik është në masën 100% të prodhimit të brendshëm bruto. Duke akuzuar dhe njëherë qeverinë për manipulim me shifrat dhe fshehje të të dhënave zyrtare, kreu i PS-së deklaroi se brenda vitit Berisha do të prekë sërish buxhetin.

“Brenda këtij viti një tjetër shkurtim dramatic do të lypset dhe për një tjetër shkurtim dramatik qeveria do të jetë e detyruar nga kriza, jo nga vullneti i saj t’i ridrejtohet kuvendit. Sa është borxhi? Mund të jetë dhe 100%, mund të jetë edhe më shumë se 100%. E vërteta është që jemi në kushtet kur hamendësojmë për shkak se nuk jetojmë në një shtet serioz, por jetojmë në një shtet mafioz” tha Rama.

Lideri i selisë rozë i quajti mashtrime deklaratat e kryeministrit për sigurimin e 3.2 miliard eurove kredi nga bankat e huaja.

“Edhe një fëmijë e kupton se nuk ka pse shkurton investime dhe pse i lë njerëzit me borxhe e me lista një qeveri që paskërka kontraktuar 3.2 miliardë euro. 3.2 miliardë euro nuk ekzistojnë asgjëkundi tjetër përvecse në listën e gënjeshtrave dhe të mashtrimeve publike të kësaj qeverie, e posaçërisht të këtij kryeministri” tha Rama.

Rama i është referuar dhe abuzimeve me dietat e kryeparlamentares dhe shitjes së trojeve të ushtrisë, akuza këto të lakuara dendur kohët e fundit nga deputetet e PS-së.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se pas ardhjes në pushtet do të shfuqizojë cdo shitje abuzive të këtyre trojeve.

Elona Gjylmi
< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›