E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhënie me të mitur, ndalohen Ribery e Benzema

Policia franceze në hetimin mbi një rrjet prostitucioni, ka marrë në pyetje dy yjet e futbollit francez, Franck Ribery dhe Karim Benzema. Policia në fakt e ka shtyrë marrjen e tyre në pyetje, pas përfundimit të Botërorit. Ribery ishte lojtari më popullor në Francë përpara dështimit në Afrikën e Jugut, ku Franca u eleminua në raundin e parë.

Media franceze ka bërë të ditur se lojtarët ishin klientë të një klubi nate në Champs-Elysees dhe kishin lidhje me vajzat që punonin si shoqëruese. Ribery është pyetur edhe në muajin prill për lidhjen e tij me një prej këtyre vajzave, por sipas avokatëve të tij, lojtari nuk ka bërë asnjë koment.

Avokatia e tij ka sqaruar për më tepër se ai nuk e dinte se njëra nga vajzat që punonin me telefonata ishte nën moshë. "Ajo duhet t’i thoshte atij që ishte nën moshë dhe kjo nuk ka lidhje me cështjen. Në të gjithë njoftimet ajo thotë se i ka thënë atij se ishte adulte, mbi 20 vjec. Lojtari është mirë, por sigurisht vendi i tij është në fushën e futbollit dhe jo aty ku është momentalisht", ka bërë të ditur Sophie Bottai. Ndërkohë, agjenti i sulmuesit të Real Madrid, Benzema, ka deklaruar se klienti i tij nuk ka qenë kurrë në atë klub nate.

Skandali, që shpërtheu përpara fushatës shkatërrimtare të Kupës së Botës, mori përmasa në fund të prillit, kur një nga femrat e përfshira, implikoi edhe disa nga futbollistët francezë.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›