E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Denoncimi i manipulimeve, detyrim i atyre që na kanë votuar”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka konfirmuar qëndrimin e PS-së për të vijuar bojkotin e Kuvendit dhe për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Rama deklaroi se Partia Socialiste do të vijojë të denoncojë manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor, pasi për të përbën një detyrim ndaj shqiptarëve që e kanë votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i PS-së kërkoi me forcë transparencën e zgjedhjeve, ndërsa tha se PS-ja nuk mund t’i falë zgjedhjet e grabitura, pasi nëse do ta bënte një gjë të tillë, edhe proceset e ardhshme zgjedhore do të ishin në rrezik. Rama tha se Partia Socialiste nuk hyn në Kuvend pa u zbardhur e vërteta e kutive të votimit. Ai sqaroi bazën ligjore që i jep Partisë Socialiste gjithë të drejtën të kërkojë hapjen e kutive të votimit. “Kjo do të thotë që ne jemi të detyruar përpara të gjithë atyre që na kanë votuar më 28 qershor dhe përpara Kushtetutës, e cila sanksionon liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, që të mbajmë një qëndrim të prerë, një qëndrim të vendosur dhe një qëndrim që ka të bëjë drejtpërdrejt me kontestimin e legjitimitetit të këtij Parlamenti dhe ta kushtëzojmë hyrjen në këtë Parlament me plotësimin e disa kërkesave që janë në themel të Kushtetutës, në themel të jetës sonë demokratike, në themel të bashkëjetesës sonë demokratike në këtë vend”, - u shpreh Rama. Këtë deklaratë kreu në detyrë i PS-së e bëri gjatë fushatës që ai së bashku me kandidatin tjetër Maqo Lakrori zhvilluan dje në qytetin e Gjirokastrës.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›