E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata e Majtë, drejtimi do ti besohet Bordit të Kryetarëve

Zbardhet formula e konkurrimit të së majtës në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Vendimmarrja e opozitës do t’i besohet frymës së kolegjialitetit

Zbardhen detajet dhe skema e funksionimit të Federatës së Majtë, një ide e projektuar dhe e mbështetur kohët e fundit me shumë forcë nga lidershipi i Partisë Socialiste. Organizimi i Federatës së Majtë duket se do të jetë “arma” me të cilën opozita dhe Partia Socialiste do të luftojnë për të fituar betejat e ardhshme elektorale. Një projekt i tillë pritet t’i ndryshojë gjërat dhe të përmirësojë gjendjen brenda së majtës, duke filluar edhe nga lidershipi i saj. Për këtë është projektuar një lidership dhe vendimmarrje kolegjiale. Drejtimi i Federatës së Majtë është projektuar t’i besohet Bordit të Kryetarëve, ku do të marrin pjesë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, si dhe përfaqësues nga ish-pesë anëtarët e Kryesisë së LSI-së, të cilët janë larguar nga kjo forcë politike. Do të jetë struktura e mësipërme ajo që do të vendosë për fatet e së majtës dhe do të marrë vendimet e rëndësishme politike.

Bordet
Bordi i Kryetarëve nuk do të jetë i vetmi nivel organizimi brenda radhëve të Federatës së Majtë. Bëhet e ditur se do të krijohen të paktën edhe dy borde të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me organizimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në bordin e parë, atë të organizimit, do të marrin pjesë sekretarët e Përgjithshëm të partive të majta, ndërkohë që PS-ja do të përfaqësohet në nivelin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare. Një bord i rëndësishëm do të jetë edhe ai i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë sekretarët ndërkombëtarë të partive opozitare. Ndërkaq, nuk dihet ende nëse do të ketë një bashkëpunim midis partive të opozitës në nivelin e kryesive, por duket se ato do të funksionojnë veçmas, në mënyrë që të ruhet identiteti i partive pjesëmarrëse në Federatën e Majtë.

Zgjedhjet

Format e konkurrimit dhe e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme përbëjnë edhe interesin dhe qëllimin final të partive, të cilat do të krijojnë Federatën e Majtë. Ekzistojnë dy skema bashkëpunimi midis partive të Federatës, të cilat lidhen me specifikat e llojeve të proceseve zgjedhore në Shqipëri, pra zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme. Gjithsesi, projekti ambicioz i Federatës së Majtë duket se është gati të nisë për të marrë frytet në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Blloku i Federatës së Majtë tenton të marxhinalizojë votën. Hapi i parë është konkurrimi me kandidat të përbashkët. Pra për Federatën e Majtë në komuna dhe bashki do të jetë vetëm një kandidat, i cili do të mbështetet nga partitë pjesëmarrëse. Ndërkohë që në garën për këshillat partiakë, partitë e Federatës mund të konkurrojnë me siglat e tyre. Përsa u përket zgjedhjeve parlamentare, ideja paraprake është që Federata e Majtë të hyjë në zgjedhje me të njëjtën formë organizimi si ajo e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithsesi, ky është një opsion që mund të pësojë ndryshime gjatë rrugës, në varësi edhe të asaj çka mund të ndodhë me Kodin Zgjedhor.

Piketat e Federatës u hodhën në Pezë

Aktiviteti festiv i disa ditëve më parë në fshatin Pezë u komentua si dita e rithemelimit dhe hedhjes së piketave për krijimin e Federatës së Majtë. Në atë ceremoni, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi të gjithë eksponentët kryesorë të së majtës, me të cilët zhvilloi edhe takime kokë më kokë. Kështu, Rama u takua me kreun socialdemokrat Skënder Gjinushi, me kreun e PDS-së, Paskal Milo, por edhe me ish-anëtarët e Kryesisë së LSI-së, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi. Pas takimit kreu i PS-së shprehu kënaqësinë që bashkë me të gjendeshin edhe figurat kryesore të së majtës, si Gjinushi, Milo dhe Xhufi. “Jam shumë i kënaqur që mund ta bëj këtë përpara jush së bashku me Pëllumb Xhufin, Paskal Milon, Skënder Gjinushin dhe me të gjithë grupin e deputeteve dhe deputetëve të pranishëm. Konferenca e Pezës është një pikë e palëkundshme që mbetet gjithmonë aktuale në referimin tonë ndaj historisë. Si një moment kur shqiptarë e shqiptare, me bindje dhe përkatësi të ndryshme, por me një pikë të përbashkët referimi që kishte të bënte me atdheun, me lirinë e tij dhe me të ardhmen e tij, u bashkuan dhe i dhanë jetë një fronti antifashist që solli më pas edhe çlirimin e vendit”, - do të deklaronte Rama.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›