E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dialogu të mos zvarritet, nuk heq dorë nga kutitë

TIRANE- Pas përfundimit të tryezës së dialogut thirrur nga presidenti Topi, ka ardhur edhe reagimi i liderit socialist Edi Rama. Në deklaratën e mbajtur për shtyp pas përfundimit të tryezës së dialogut, kreu i opozitës sqaroi se i ka kërkuar haptazi kryeministrit Berisha hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Ramës, kërkesat e tij nuk ndryshojnë dhe hapja e kutive mbetet në themel të tyre.“Me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur të pikpamjeve të kundërta për thelbin e problemit, që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrësesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara, për të cliruar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral” – ka deklaruar Rama.Gjatë tryezës, Rama bëri me dije se e ka sqaruar Berishën që nuk kërkon ndryshimin e vendimeve kushtetuese por vetëm autopsinë e zgjedhjeve, pra sipas tij, hapjen e kutive.“E sqarova zotin Berisha se nuk kemi punë as me vendimin e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje”- deklaroi Rama.Hetimi sipas Ramës, duhet bërë që shqiptarët të ndahen përgjithmonë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të korruptuara. Sipas Ramës tryeza për të nuk është vend pazaresh, por vendi ku zgjidhet kriza.“Dau të jem shumë i drejtëpërdrejt dhe transparent me shqiptarët që i kishin sytë nga tryeza e sotme. Unë nuk shkova në tryezë për pazar, por për një parim, nuk shkova për të mundur kundërshatarin politik por për ta ftuar që së bashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve, duke e ndarë përfundimisht Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të korruptuara”- tha më tej kryesocialisti.Por sipas kryesocialistit, nuk duhet të zvarritet gjetja e një kompromisi, pasi kriza politike po vazhdon të bëhet e papërballueshme“Nuk shkova në tryezë për pazar por për një parim. Shkova për ta ndarë Shqipërinë nga tradita e zgjedhjeve të korruptura, jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem përgjetjen e dialogut, por nuk pranoj zvarritjen e tij në pafundësi, pasi kriza po bëhet e papërballueshme”- nënvizoi Rama.Në fjalët e tij nuk munguan falenderimet për të gjithë palët që kontribuan në transparencën e plotë të këtyre zgjedhjeve, “Falenderoj popullin opozitar, aleatët tanë tradicionalë e të rinj, deputetër dhe drejtuesit e PS, padyshim miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë në mbështetjen e kauzës historike të transparencës së plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve në Shqipëri, në këtë moment kyc për fatet e vendit. Falenderoj po ashtu komunitetin ndërkomëtar për angazhimin serioz dhe parimor në nxitjen e dialogut për daljen nga kriza dhe në mundësimin e tryezës së sotme mes palëve.” Rama ka falenderuar në mënyrë të vecantë edhe kreun e shtetit “për përfshirjen e tij të drejtëpërdrejtë në këtë përpjekje për të zgjidhur një krizë që sipas bindjes sonë të palëkundur i ka rrënjët tek deformimi i vullnetit të popullit, para, gjatë dhe pas 28 qershorit.”(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›