E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, 125 makineri vidhnin klientët

21/07/2009  Kontrollet e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në të gjithë vendin

Kristo: Aparatet që nuk plotësojnë standardet do të konfiskohen

Rreth 125 aparate që “vidhnin” klientët në disa lokale ku ushtrohet aktiviteti i lojërave të fatit. Ministria e Financave njofton se kontrolli për standardet që duhet të plotësojnë këto aparate ka vijuar në të gjitha qytetet, nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Gjatë kontrolleve ka rezultuar se shumë prej këtyre makinerive nuk i përmbushin standardet që përcakton ligji. Pas hyrjes në fuqi të ligjit për lojërat e fatit dhe të dispozitave, të cilat përshkruajnë standardet, që duhet të plotësojnë lojërat elektronike, kjo njësi ka nisur kontrollin për përputhshmërinë e standardeve të makinave elektronike që ekzistojnë në treg dhe ka bllokuar 125 aparate që nuk plotësonin standardet. “Janë konstatuar lojëra elektronike, të cilat nuk plotësojnë standardet e kërkuara nga ligji”, – deklaron përgjegjësi i sektorit të kontrollit, Redian Kristo. Sipas tij, këto makina lejojnë që organizatorët e lojërave të fatit të nxjerrin fitime abuzive në kurriz të klientëve. Sipas ligjit për lojërat e fatit, jo më pak se 50 për qind e xhiros duhet të përfitohet nga lojtarët, kurse makinat jashtë standardeve lejojnë organizatorët e lojërave të fatit që të përcaktojnë vetë marzhe shumë të ulëta të fitimit përmes tarimeve mekanike të pakontrolluar. Në zbatim të ligjit, në ditët e fundit njësia ka marrë disa masa. “Në disa raste është hasur në pengim antiligjore dhe situata është zgjidhur vetëm me ndërhyrjen e forcave të rendit”, - u shpreh Kristo. Për 80 lojëra të tjera elektronike është bërë konfiskimi, pasi janë gjetur në subjekte të paregjistruara, si dhe janë bllokuar 75 lojëra elektronike në ambientet e një kazinoje në kryeqytet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›