E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH bën lëmsh Tiranën me ndërprerjet e energjisë

Edhe pse KESH ka siguruar energji mjaftueshëm, përsëri zona të tëra në Tiranë vuajnë pothuajse çdo ditë mungesën e energjisë elektrike. 

 Shkak për këtë janë remontet e linjave, të cilat janë planifikuar të kryen gjatë ditëve më të nxehta të vitit. Për pasojë, energjia elektrike në shumë zona të kryeqytetit mungon nga dy deri në tre orë në ditë. Shumë prej këtyre remonteve kryhen pa u njoftuar më parë. Kjo ka ngjallur pakënaqësinë e konsumatorëve, sidomos të atyre që kanë në zotërim një biznes. Më shumë problematike situata është për minimarketet, pronarët e të cilëve shprehen të shqetësuar, pasi shumë prej ushqimeve që ata tregtojnë nuk mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë në temperatura të larta. Në një situatë të tillë, ku temperaturat kanë arritur vlera goxha të larta dhe konsumatorët po përballem me mungesën e energjisë elektrike ka reaguar edhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Në një deklaratë për mediat (OSSH) ka njoftuar se në kuadër të remonteve të planifikuara të linjave po kryhen tre kategori remontesh, të cilat janë në koordinim me remontet e linjave në rajon. Sipas OSSH-së, ka qenë kjo arsyeja pse në të gjitha vendin ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Kështu po kryhet remont në linjat 220 kV dhe 110 kV të tensionit të lartë që kryhen nga OST, remontet e nënstacioneve që administrohen nga Njësia e Tensionit të Lartë të OSSH. sh.a., dhe  remontet e linjave të tensionit të mesëm dhe në kabina që administrohen po nga OSSH. sh.a. “Programi i remonteve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes koordinohet me remontet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit me qëllim që të mos ketë ndërprerje të dyfishta në përputhje me programin e miratuar në fillim të vitit”, thuhet në deklaratën për shtyp. Pas përmirësimit të situatës hidrike, KESH nuk ka aplikuar më grafik kufizimesh të energjisë elektrike. Por pavarësisht kësaj, përsëri mungesa e energjisë është përsëri e pranishme dhe kjo si pasojë e punimeve të shumta, që kryhen në nënstacione apo në linjat e tensionit të lartë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›