E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrim me pensionet, kapet ish-deputeti

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Qazim Laçi arrestohet bashkë me dy persona të tjerë i akuzuar për falsifikimin e dokumenteve të përfituesve të pensionit si minatorë, kundrejt shumave të ndryshme të ryshfetit. 

Dashamir Biçaku

Tre të arrestuarit nga sektori i Antikorrupsionit në Polici akuzohen se, duke falsifikuar dokumentet zyrtare kanë “bërë” pensionistë si ish-minatorë mbi 200 persona të ndryshëm. Përfituesit e pensioneve sipas hetimeve, nuk kishin asnjë kontribut në minierë, megjithatë duke paguar ryshfet tek të arrestuarit përfitonin një pension të tillë. Qazim Laçi, 60 vjeç, ish–drejtor i minierës së Priskës dhe ish-deputet i PD-së në vitet 1992-1996, Fatmir Sula 51 vjeç, ish-shef i kuadrit në këtë minierë si dhe Rabie Pulpa, 43 vjeçe, ish-shefe e zyrës së Verifikimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, u arrestuan dje nga policia e kryeqytetit me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve dhe regjistrave shtetërorë” dhe “korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë”. Këto vepra penale, sipas policisë janë kryer në bashkëpunim mes të arrestuarve, duke i sjellë dëm shtetit në disa miliona lekë. Ish-drejtori Qazim Laçi, aktualisht i papunë, është arrestuar nga policia pranë banesës së tij. Fatmir Sula, aktualisht përgjegjës i zyrës së Inxhinierëve në Drejtorinë e “Alba Minierave” pranë Ministrisë së Ekonomisë, si edhe Rabie Pupla, përgjegjëse e zyrës se Vlerësimit pranë degës së Thesarit në Tiranë, u arrestuan menjëherë, sapo kanë dalë nga zyrat e tyre të punës.
Hetimi
Arrestimi i tre personave të akuzuar për korrupsion është konfirmuar dje në rrugë zyrtare nga policia e kryeqytetit. Kjo e fundit tha se gjatë aksionit është bllokuar edhe një sasi e konsiderueshme dokumentesh dhe regjistrash, që vërtetojnë manipulimet e kryera nga të arrestuarit. Sipas burimeve të policisë, janë së paku rreth 200 persona që dyshohet se kanë përfituar nga veprimtaria korruptive e të arrestuarve, të cilët akuzohet se kryenin mashtrime dhe falsifikime të personave që përfitonin pension pleqërie si ish-minatorë. Për çdo “pensionist”, tre të dyshuarit për korrupsion, sipas burimeve të Prokurorisë kanë përfituar nga 180 mijë deri në 250 mijë lekë të reja. Një tarifë e tillë mësohet se ka qenë pagesa që duhej të bënin personat që kërkonin të merrnin pension pleqërie.
Falsifikimet
Falsifikimi i regjistrave të kuadrit të minierës, për personat që kanë punuar në Priskë, mësohet se ka nisur që në vitin 2000. Në ato kohë, drejtor i saj, ka qenë 60-vjeçari i arrestuar dje, Qazim Laçi, ndërsa Fatmir Sula, ka qenë shef i zyrës së kuadrit. Pasi merreshin paratë prej kërkuesit të pensionit, dy drejtuesit, dërgonin dokumentacionin në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Rabie Pupla, sipas policisë, duke qenë se punonte në zyrën e verifikimeve në ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore), përgjigjen e kishte gati. “Dokumentacioni është i rregullt”, ishte përgjigjja zyrtare e saj për dokumentet e falsifikuara prej dy bashkëpunëtorëve të saj. Brenda afatit të caktuar, një person që nuk dinte ku binte miniera e Priskës, bëhej pensionist minator si të kishte punuar për vite me radhë në këtë minierë. Hetimi i abuzimeve të pensionistëve të minierës së Priskës, nisi nga policia e Tiranës, pas një rasti kur një person jo më tepër se 45 vjeç u kap me një librezë pensionisti si ish-minator.

Të arrestuar

Qazim Laçi
Ish-drejtor i minierës së Priskës,
ish-deputet i PD-së në vitet 1992-’96

Fatmir Sula
ish-shef i kuadrit në minierën e Priskës
aktualisht në Ministrinë së Ekonomisë

Rabie Pupla
ish-përgjegjëse në ISSH,
aktualisht në Degën e Thesarit në Tiranë

Kukës, 37 ish-minatorë rifitojnë  pensionet e anuluara pas kontrollit

KUKES - Verifikimi përfundimtar i dosjeve të ish-minatorëve të Kukësit, ka bërë që 37 prej tyre të rifitojnë pensionin e veçantë që iu ndërpre 5 muaj më parë. Nga kontrollet më të fundit rezultoi se 37 ish-minatorët në fjalë kishin të rregullt gjithë dokumentacionin e tyre, prandaj do të marrin dhe pensionet e pezulluara nga kontrollet e Auditit të Brendshëm. Gjatë këtij kontrolli, që nisi para pesë muajsh, iu ndërprenë pensionet 270 ish-minatorëve gjatë kontrollit të 500 dosjeve për Kukësin, Hasin e Tropojën, por që shumica e abuzimeve kishin ndodhur në Kukës. Ndërkohë ndaj 120 ish-minatorëve sektori i krimit ekonomiko-financiar, ka nisur hetimet dhe ata po ndiqen penalisht në gjendje të lirë për falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimi. Në fakt që nga ndërprerja ish-minatorët kanë protestuar disa herë ndaj këtij vendimi që ata e konsiderojnë arbitrar. Ata kanë kërcënuar se do të nisin edhe grevën e urisë. Ish-minatorët përfituan pension të veçantë para 5 vitesh me një vendim të Këshillit të Ministrave, që i jepte një trajtim të veçantë gjithë ish-minatorëve që kishin punuar nën tokë mbi 11 vite dhe që gjithsej kishin 22 vite punë. Kjo masë përfitimi prej 5 mijë lekësh në muaj deri sa ata të arrinin moshën e plotë të daljes në pension.                                j.h

Në Prokurori pensionisti  “i rremë”

TIRANE – Vetëm pak orë para arrestimit të tre ish-zyrtarëve, që kryenin falsifikimet kundrejt korrupsionit të personave të interesuar për pension si ish-minatorë, policia e Tiranës ka zbuluar dje njërin prej përfituesve në mënyrë të padrejtë. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, janë dërguar materialet në Prokurorinë e Tiranës për hetim në gjendje të lirë ndaj Reshat Çopanit, 52 vjeç, banues në Tiranë. Ky rast është hetuar nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Sipas policisë, Reshat Çopani, 52 vjeç, dyshohet se ka përfituar trajtim të veçantë për pension si ish-minator, duke falsifikuar dokumentet me synim përfitimin e një pagese të tillë për çdo muaj. Hetuesit e policisë kanë verifikuar e më pas sekuestruar të gjitha dokumentet e pensionit të këtij personi, duke arritur në përfundimin se ai kishte paguar ryshfet për të figuruar si ish-minator. Më pas me vërtetimin e falsifikuar të punës, 52-vjeçari ka aplikuar për pension duke ndryshuar edhe vitet e moshës me anë të një certifikate të falsifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›