Rama: Unë kryeministër që të mos përfitojnë politikanët
Mallakastër/Majlinda Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka kërkuar votën e mallakastriotëve gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetët e qarkut Fier, gjatë një mitingu në qytetin e Ballshit. Kreu i selisë rozë ka deklaruar se ka ardhur koha t’i thuhet ‘PO’ një rruge që pritet të shtrojë të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, një rruge që do t’i bashkojë të gjithë për forcën e ndryshimit. Rama ka deklaruar se të gjithë së bashku do të bëjnë një Shqipëri moderne, evropiane dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik dhe social që, sipas Ramës, nuk është njohur deri tani në vendin tonë. Rama ka bërë thirrje që asnjë votë të mos shkojë dëm. “Mos e çoni votën tuaj dëm, mos e hidhni fuqinë e investimit që keni në dorë, në një drejtim të njohur tashmë, një drejtim që prej 18 vitesh është kthyer në një mundësi përfitimi për politikanët. Ai drejtim do të thotë që t’i hapim rrugë qeverisjes së Gërdecit e të trazirave, prandaj hidheni votën për Partinë Socialiste, pasi kjo është ajo që duhet ta fitojmë së bashku. Që Shqipëria të fitojë”, deklaroi Rama në çelje të fjalës së tij. Rama u ka kërkuar votën mallakastriotëve për t’u bërë kryeministër i vendit, i një qeverisjeje që do të jetë për të gjithë zgjedhësit dhe që besojnë te ndryshimi. “Unë dua tu them se dua të bëhem Kryeministër i Shqipërisë që të kem mundësi të vazhdojë ëndrrën tuaj. Kërkoj votën tuaj që qeverinë e Shqipërisë ta sjellë tek ju si një instrument ndryshimi në duart e të gjithëve ju, të kësaj shumice që 18 vjet më parë donte ndryshimin, dhe sot del për të bërë realitet një ëndërr ende të parealizuar. Unë dua të bëhem kryeministër që loja e vjetër të përfundojë për një politikë të re, të njerëzve për njerëzit, për ndryshimin e qeverisjes dhe jetën e vendit”, u shpreh kreu socialist. Rama u shpreh se gjatë qeverisjes socialiste të katër viteve të ardhshme do t’i jepet një rëndësi e veçantë shtimit të vendeve të reja të punës dhe ndaljes së varfërisë, ndërsa ka deklaruar se do të krijojë klimë të përshtatshme që çdo familje të ketë të paktën një të punësuar.