Ruçi: 400 mijë qytetarë nuk mund të votojnë
Kandidati socialist në Qarkun e Fierit dhe një nga eksponentët më të lartë të kësaj partie, Gramoz Ruçi e ka cilësuar Qarkun e Fierit si shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e 28 qershorit për shkak të rëndësisë gjeografike, numrit të popullsisë dhe peshës ekonomike. I ftuar në “Top Story” në Top Channel me gazetarin Sokol Balla, Ruçi foli dhe për numrin e madh të shtetasve pa pasaportë që nuk kanë marrë karta identiteti, të cilët sipas tij janë rreth 400 mijë. “Janë 400 mijë votues pa mjetin e identifikimit. Fushatën e opozitës e zhvillojnë të gjithë kandidatët e strukturave organizative të Shqipërisë, ndërsa për maxhorancën, fushatën e zhvillojnë drejtorët. Politika dhe politikanët duhet të përpiqet t’u përgjigjen shtetasve të vet. Maxhoranca e la problemin e kartave për 6 muajt e fundit dhe nuk e shikon si shërbim. Ne thellojmë mospjesëmarrjen në votime me mungesën e dokumentit të identifikimit”, u shpreh Ruçi. Kryetari i asamblesë kombëtare dënoi dhunën gjatë fushatës elektorale. “Dhuna në të gjitha rastet është e keqe, por nuk mund ta shikojmë për-gjegjësinë te militantët, por tek politika e institucionet e shtetit. Dhuna frymëzohet nga administrata shtetërore”, u shpreh Ruçi.