E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushimet në spital, mjekët preferojnë të punojnë

Grafiku Operacionet me planifikimin do të mbyllen kur temperaturat të rriten dhe kushtet të jenë të disfavorshme

Edhe pse zyrtarisht ndodhemi në pikun e verës, për mjekët nuk paska një ditë të bardhë... Ose janë vetë ata që nuk e kanë me qejf largim nga puna dhe heqjen dorë nga operacionet e gjithçka tjetër që ka lidhje me trajtimin e kujdesit shëndetësor kundrejt pacientit. Këtë vit ka ndodhur e kundërta e viteve të tjera. Dhe pse kemi hyrë në muajin korrik, drejtoria e qendrës spitalore “Nënë Tereza” sqaron se nuk ka asnjë pezullim të operacioneve me planifikim. Madje as mjekët dhe specialistët primarë të kësaj qendre nuk janë larguar ende me pushimet e verës.

Ajo që thuhet me siguri, është lëshimi i një urdhri nga ana e drejtorisë spitalore, e cila kërkon nga mjekët dhe punonjësit e qendrës spitalore universitare të planifikojnë pushimet e verës, në mënyrë që të rakordojnë punën ashtu siç duhet, pa krijuar vakume apo mungesa në shërbime e klinika të caktuara. Por jo vetëm kaq, ajo që është sqaruar nga spitali “Nënë Tereza” për këtë periudhë kohore janë masat mbrojtëse dhe detyrimet që ka për këtë sezon shtabi i emergjencave. Sipas QSUT-së, gjatë sezonit të verës janë përgatitur, formuar dhe udhëzuar rreth 50 grupe specialistësh, shtabe që do të jenë në gatishmëri për të gjitha shërbimet që i ofrohen popullatës. Operacionet me planifikim do të mbyllen atëherë kur temperaturat të rriten dhe të jenë të disfavorshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Me rritjen e temperaturave dhe vapës së madhe, në ambientet spitalore nuk zbatohet e njëjta procedurë ashtu si në vjeshtë, pranverë e dimër, ku numri i operacioneve është i lartë dhe i përditshëm. Në muajin qershor dhe në fillim të korrikut temperaturat kanë qenë normale, për të realizuar ndërhyrje kirurgjikale. Derisa ato të jenë të tilla, puna e operacioneve do të vijojë rregullisht, ndërkohë që pas ndryshimit të motit stafi do të kryejë vetëm operacionet urgjente dhe jo me planifikim, këto në infrastrukturën e nevojshme, larg infeksioneve që sjellin temperaturat e larta.
Grafiku i pushimeve të mjekëve për këtë verë do të nisë nga java e re dhe jo që në muajin qershor, ashtu si çdo vit tjetër. Arsyet janë për shkak të motit të paqëndrueshëm, por edhe sepse puna në spitale nuk është ndalur për temperaturat e ulëta, njësoj si në pranverë. Sakaq, rezervat e gjakut nuk janë në situatë alarmante apo kritike. Dhurimet e familjarëve, por edhe vazhdimi i operacioneve me planifikim kanë krijuar rezerva në qendrat e gjakut.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›