E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmimi i votave, kostoja shkon në 1,45 milionë euro

 

Bledar Hoti

Filmimi me anë të kamerave të procesit të numërimit të votave do të kushtojë 1.455.640 euro. KQZ-ja ka shpallur dje pasdite firmën fituese që do të ndërmarrë përsipër procesin e blerjes dhe  të instalimit të kamerave fiksuese pranë 66 Grupeve të Numërimit të Votave që janë në rang republike. Firma fituese shqiptare është R&T shpk. Ajo paraqiti ofertën  më të lirë në krahasim me firmën tjetër konkurruese “iTirana”. Në relacionin e paraqitur nga ana e KQZ-së theksohet se “iTirana” kishte paraqitur ofertën për shërbimin e kërkuar në vlerë që shkon në 1.590.000, ndërsa “”R&T me 1.455.640 euro. “Në këto kushte Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në prani të Njësisë së Prokurimit, bazuar në çmimin e ofruar vendosi të vazhdojë negociatat e mëtejshme për kushtet e veçanta të kontratës me shoqërinë e renditur e para R&T”, thuhet në relacionin e përgatitur nga juristi Kodra. Për këtë shërbim kishin konkurruar 11 firma të ndryshme, nga të cilat pas vendosjes së kritereve janë klasifikuar vetëm pesë firmat “’iTirana’, ‘Aflexim’, ‘R&T’, ‘Rogat’ dhe “Elektro teknik H&L’”. Pas të dhënave teknike është shpallur fitues firma R&T, e cila plotëson të gjitha kushtet e kërkuara nga ana e KQZ-së, për një teknologji të lartë.
Prova filmike
KQZ-ja bëri në ambientet e saj provat filmike të ofruara nga firmat fituese. Një kamera me pozicion 360 gradë ishte instaluar lart, ndërsa në tavolinë, ku u improvizua grupi i numërimit ishte vendosur kamera e vogël me gjithë mbështetësen ku do të vendoset fleta e votimit. Ndërsa pamjet shfaqeshin në dy ekrane televizioni, ku ekrani i madh lidhej me kamerën prej 360 gradësh, ndërsa ai i vogli fokusohej me fletën e votimit e sigluar ku shfaqej e filmuar. Anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e partive kanë parë nga afër këtë proces. I gjithë procesi i numërimit të votave parashikohet të filmohet dhe të regjistrohet, në mënyrë që në rast kontestimesh të paraqiten në sallën e gjyqit. Një proces i tillë realizohet për herë të parë, ndërsa parashikohet që të haset në vështirësi për faktin se çdo fletë votimi duhet të regjistrohet. Kjo do të ndikojë ndjeshëm në zbardhjen e rezultateve përfundimtare, pasi procesi i numërimit të kutive votimit pa kamera llogaritet për rreth një orë, duke parashikuar edhe vendosjen e vulave sekrete. Ndërsa parashikohet që në të gjithë Shqipërinë, minumi çdo VNV do të ketë pesë grupe numërimi. Në 66 VNV do të ketë instaluar një kamera fikse me pozicion 360 gradësh dhe minimumi pesë kamera fikse për çdo grup numërimi, që përbëhet nga katër persona.

11 firma
Në KQZ janë administruar ofertat e 11 firmave, të cilat kanë dhënë edhe çmimin për shërbimin që kërkon KQZ-ja. Pas një procesi seleksionimi të realizuar nga KQZ, janë futur në garë
vetëm dy firmat shqiptare.

1,45 milionë
eurom KQZ pas vlerësimit të ofertave shpalli fituese firmën shqiptare R&T, e cila ka ofruar shifrën prej 1.455.640 euro për shërbimin deri në filmin online të numërimit.

66 VNV
Në të gjithë vendin do të jenë 66 Vende të Numërimit të Votave, të realizuara mbi bazën e KZAZ-ve që janë në shkallë
vendi. Gjithsej do të ketë 66 kamera me 360 gradë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›