E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PD dhe PS nuk duan zgjedhje të lira e të ndershme

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë qëndrimit të tij në Uashington dha dje një intervistë në radion “Evropa e Lirë”. I pyetur për procesin e pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, Meta tha se konsensusi PD-PS për kodin po jep rezultatet e sotme. “Këto dy forca politike gjetën gjuhë të përbashkët për të realizuar një Kod sa më pranë interesave të ngushta të lidershipit të tyre. Por, për fat të keq, ju po e shikoni se pas të ashtuquajturit konsensus të përpara disa muajve, situata tani është rikthyer në konflikt me akuza reciproke për prishjen apo shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme. Për fat të keq, këto dy forca politike asnjëherë nuk e kanë pasur sinqerisht çështjen e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri, pasi ne prej kohësh kishim kërkuar që komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore të sillte kodin e ri, që përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht, gjatë vitit të kaluar”, tha Meta. Sipas tij, “kjo gjë u zvarrit në mënyrë konsensuale, e përcjellë një kohë me probleme, sa u takon standardeve, por njëkohësisht dhe për fat të keq, për të mos lënë kohë për realizimin e infrastrukturës së duhur zgjedhore, sikurse po ndodh aktualisht me kartat e identitetit”. Duke risjellë qëndrimin e LSI-së për Kodin Zgjedhor, Meta tha se ai është kontestuar që në fillim. “Sa i takon LSI-së, ky është një kod, ku ne kemi kontestuar disa elemente, që dëmtojnë demokracinë dhe sjellin diskriminim, por, njëkohësisht, e kemi thënë dhe e konfirmojmë se ky është një kod, i cili, në fund të fundit, e faktorizon shumë herë më tepër Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi sistemi në thelb është proporcional”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së i kërkoi qeverisë të pajisë qytetarët me karta identiteti. “Ne mendojmë se duhet zgjidhur kjo çështje, duke përfshirë edhe OSBE-ODIHR-in si institucion i specializuar ndërkombëtar për çështjen e zgjedhjeve, përpara se të jetë shumë vonë dhe kjo të kthehet në një çështje serioze, që mund të minonte kredibilitetin e zgjedhjeve”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se kjo parti hyn në këto zgjedhje me qëllimin për të fituar. “Ne kemi realizuar një koalicion tonë parazgjedhor dhe synojmë të ecim në këtë drejtim. Kemi bërë të qartë se në rast se ne nuk fitojmë të vetëm shumicën, atëherë shikojmë të mundshëm një koalicion me forca të tjera të majta dhe në radhë të parë me Partinë Socialiste. Ne nuk pengojmë askënd të arrijë vetëm shumicën absolute”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›