Aksidentet, një vdes tre të tjerë plagosen
Aksidente me viktima e të plagosur kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në disa rrethe të vendit. Një 69 vjeçar ndërroi jetë në spitalin e Sarandës pasi pësoi aksident në Konispol, ndërsa tre të tjerë u plagosën në ngjarje që ndodhën në Elbasan, Korçë dhe Fushë- Krujë. Sipas policisë së Sarandës, pak para mesnatës së të dielës humbi jetën në spital, Islam Balani. Mësohet se viktima 69 vjeç, baba i 5 fëmijëve, rreth orës 23:00 ishte duke shkuar për në shtëpinë e tij në lagjen Shehat, kur një motor që drejtohej nga Stefan Shumbuli, e ka përplasur. Viktima u çua në spital, por ai ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe identifikoi drejtuesin e mjetit, 22-vjeçarin Stefan Shumbuli nga fshati Çiflig, i cili u arrestua. Ndërsa dje, një 77-vjeçar nga Bulqiza mbeti i plagosur në superstradën Fushë-Krujë–Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:50 në afërsi të fshatit Nikël kur Abdi Asllani në tentativë për të kaluar rrugën u përplas nga makina tip “Audi” me targë KR 0844 A, që drejtohej nga 48-vjeçari Hamit Bakiu, nga Kruja. Ai u vetëdorëzua në polici, ndërsa viktima ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak në Tiranë. Po dje, në aksin Korçë–Pogradec, afër fshatit Sovjan, 30-vjeçari Olsi Lulani goditi me mjetin e tij 69- vjeçarin Skënder Kodra. Viktima po tentonte të kalonte rrugën për në fshatin e tij kur u përplas nga mjeti që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi drejtuesin e mjetit, ndërsa viktima ndodhet në spital në Tiranë në gjendje të rëndë. Po për shkaktimin e një aksidenti, policia e Elbasanit nisi procedimin në gjendje të lirë për 23-vjeçarin Leonard Toçi. Në aksin Librazhd–Elbasan, mjeti i tij Benz me targa EL 6404 B, doli nga rruga duke u përplasur me bordurën anësore. Si pasojë u dëmtua pasagjerja, P. Hysa, 23 vjeçe.