E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia t’i japë Veliajt të drejtën elementare të një gjyqi dinjitoz, fund praktikës brutale të prangave pa gjyq

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që makineria e bashkisë së Tiranës nuk duhet të fiket në asnjë minutë por duhet të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet.

Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Rama i siguroi ata se deri kur të vendoset çështja e kryetarit të bashkisë vëmendja e tij për bashkinë e Tiranës për nevojat e punës do të jetë e pandërprerë.

“Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë të vendoset në një drejtim apo një tjetër, vëmendja ime për bashkinë e Tiranës, për nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se nuk i takon atij të thotë nëse Veliaj është i pafajshëm apo fajtor.

“Pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur plotësisht organet e drejtësisë”, shtoi Rama.

“Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çka mendojnë për fajësinë e tij organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikës brutale të prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe për punonjës të shtetit në detyrë, kur as janë kapur në flagrancë, as paraqesin ndonjë rrezik arratisje, as kanë çfarë provash të prishin”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›