E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Asnjë buf nga këneta politike nuk mbulon dot diellin e transformimit kolosal të Tiranës

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se asnjë buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës së madhe politike dhe mediatike nuk e mbulon dot me shoshën e blozës dhe të llumit diellin e transformimit kolosal historik të Tiranës.

Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës, kryeministri Rama solli në vëmendje transformimin e Tiranës që ka nisur që me drejtimin e tij në krye të bashkisë, për të vijuar me punën që është bërë gjatë drejtimit të Erion Veliajt.

“Pa mua që e nxora nga koma dhe rrënojat, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe të PS-së, të socialistëve dhe progresistëve kryeqytetas dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik gjithëvjetor me mbështetjen e pakursyer të të gjithëve ne, ky qytet nuk do të ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë që të gjithë, opozitarë, prokurorë, gjykatës, analistë, gjithologë, gazetarë e qytetarë”, tha Rama.

Rama theksoi se sot qytetarët e Tiranës shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, kopshte dhe shkolla që nuk i lënë asnjë gjë mangët shkollave të BE-së.

“I çojnë të afërmit në një spital që nuk i lë gjë mangët spitaleve të BE-së. Dhe duke shëtitur nëpër parqe bashkë me prindërit e tyre pensionistë dhe duke dalë edhe për vrap nga liqeni në një park si parqet në Europë dhe jo si ai parku ku u zhvillua lufta e fundit civile e Tiranës mes disa specieve të kënetës opozitare të armatosur me pistoleta dhe policëve bashkiakë për t’i hapur rrugë një këndi lojërash”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›