Var veten pedagogu i matematikës
• Vetëvaret pedagogu i matematikës në universitetin "Fan Noli" në Korçë.KORÇEArtur Konopulli, 40 vjeç, u gjet i pajetë mëngjesin e djeshëm nga e shoqja, në një kënd të oborrit, pak minuta para se të nisej për në auditor. Sipas hetimeve të para, profesori e kishte ndërmarrë aktin ekstrem në kushtet e depresionit të rëndë nervor. Stresi gjatë punës dhe një konflikt i fundit me një fqinj për një ndërtesë që po ngrihej pranë shtëpisë, dyshohen si shtysat drejt vetëflijimit. Gjatë zgjedhjeve në universitet ai kishte qenë dhe kryetar i komisionit të numërimit të votave. NgjarjaFamilja Konopulli jetonte në lagjen 1 të qytetit të Korçës. Mëngjesin e djeshëm, çifti dhe dy vajzat e vogla janë ngritur dhe po bëheshin gati për në shkollë e punë. I zoti i shtëpisë, pasi është zgjuar nga gjumi ka shkuar në një mjedis jashtë banesës, që shërbente si kuzhinë verore. Bashkëshortes dhe dy vajzave të mitura, njëra 8 dhe tjetra 11 vjeçe, nuk u ka shkuar mendja për keq. Në një moment atyre u ra në sy që në këto çaste nuk ishte pranë tyre i ati dhe filluan ta kërkonin nëpër shtëpi. E shoqja ka shkuar në këndin e oborrit, ku në një tra të tij ka gjetur dhe bashkëshortin. Ajo ka vënë alarmin dhe me ndihmën e pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe fqinjëve është munduar të çlirojë burrin nga kabllo elektrike që kishte përdorur për vetëvarje. Megjithëse u përpoqën që ta rikthenin në jetë, gjithçka rezultoi e kotë dhe mjekët e urgjencës nuk kanë pasur mundësi t'i japin ndihmën e shpejtë. HetimetPër ngjarjen e rëndë, hetuesit nisin veprimet për të zbardhur shkaqet e saj. Prej vitesh, 40-vjeçari ishte pedagog i lëndës së matematikës në Fakultetin e Mësuesisë të Universitetit "Fan S. Noli" në Korçë. Ndër momentet më të rëndësishëm të jetës së tij pedagogët dhe studentët njohin pjesëmarrjen e tij në protestat e studentëve në dhjetorin e 1990-ës. Atëherë Arturi kishte tre vjet që kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte emëruar mësues në rrethin e Librazhdit. Arturi ishte në radhët e para kur forcat e ndërhyrjes së shpejtë filluan të qëllonin mbi studentët e Tiranës me shkopinj gome. Ai u qëllua në fytyrë e kokë dhe si pasojë humbi një pjesë të dëgjimit. Pak kohë më parë kreu dhe një operacion, i cili ndonëse nuk i riktheu dëgjimin e plotë, e ndihmoi që të shmangte çdo lloj shqetësimi. Policia e Korçës në informacionin e saj të parë rreth vetëvarjes bëri publik versionin se gjithçka ka qenë rrjedhojë e një depresioni mendor. Banorë të rrugës ku jeton familja Konopulli treguan dje se Arturi ditët e fundit ishte grindur me një fqinjin e tij, i cili po ndërton shtëpi të re pa u qëndruar korrekt kufijve mes dy banesave të vjetra dhe projektit të miratuar nga urbanistika e bashkisë. Për të deklaruar padrejtësinë që po i bëhej nga fqinji, Arturi një ditë më parë kishte shkuar në bashki, por nuk kishte mundur të zgjidhte shqetësimin. Duke e njohur si njeri që prekej shpejt, ata kanë hedhur dyshimin se pikërisht kjo ngjarje e ka shtyrë në vetëvrasje. Ndërkohë dhe kolegët e universitetit thanë se gjatë kohës së zgjedhjeve të rektorit dhe dekanëve, profesori i matematikës ndihej shumë i stresuar, nën ndikimin e presioneve të palëve nën votim.Policia: Nuk ka pasur denoncimKORÇE - Burime pranë policisë kanë bërë të ditur për gazetën se Arturi nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmën e saj për të zgjidhur konfliktin që kishte me fqinjin. Këtë fakt e ka konfirmuar për gazetën shefi i policisë në Korçë, Latif Kulla. "Ne nuk kemi asnjë denoncim prej pedagogut që dje vari veten', është shprehur ai. Kontrolluam për këtë librin e denoncimeve sepse na doli si fakt gjatë hetimeve, pastaj biseduam edhe me punëtorin operativ të lagjes, por nuk evidentuam ndonjë ankesë të Arturit e familjes Konopulli", bëri të ditur shefi i komisariatit. Me natyrën që kishte Arturi dhe me besimin që ai shprehte se do të zbatohej ligji nuk shkonte asnjëherë në polici. Por fakti tregoi se ishte shumë i shqetësuar dhe ndoshta kishte kaluar edhe në depresion, që në moment u bë fatal për jetën e tij. Kolegët: Ja çfarë e shqetësonte ArturinKORÇE - Vetëvarja e pedagogut dhe kolegut ishte dje çështja më e diskutuar në mjediset e Universitetit të Korçës. Vihej re një shokim masiv dhe përsëritej në çdo mjedis pyetja: "Kush është shkaku i vetëvarjes"? Pikërisht në këtë mjedis u hodhën edhe dy versione, që ndoshta do të përbëjnë edhe versione të organeve hetimore. Sipas tyre kohët e fundit Konopulli përjetoi një ngarkesë jo normale nervore, të bashkëshoqëruar me tension të vazhdueshëm nervor, për shkak edhe të natyrës së tij, si i zgjedhur në organet zgjedhore të universitetit. Në rektorat dhe nga pedagogë të ndryshëm u pohua se gjatë fushatës së zgjedhjeve në universitet, Arturi ishte kryetar i komisionit të apelit të zgjedhjeve. Ishte një detyrë e vështirë, por kolegët e tij e zgjodhën se ia njihnin edhe zotësinë edhe drejtësinë. Ditën kur zgjedhjet përfunduan dhe ai dorëzoi rezultatet e votimit, iu tha shokëve të katedrës: "Nuk e dija se do të më shqetësonte kaq kjo fushatë, më mirë të mos e kisha pranuar detyrën që mu ngarkua". Po gjatë bisedave të djeshme në Universitet është diskutuar edhe mbi një version tjetër që mund të ketë shërbyer shkak për vetëvarjen e pedagogut. Arturi dhe kolegu i tij Lorenci kishin afro një javë që merrnin në provim studentët e Fakultetit të Mësuesisë në lëndën e matematikës. Gjatë bisedave me Lorencin ai ishte shprehur se ndihej i tensionuar nga ndërhyrjet e shumta që kishte për të kaluar studentët që nuk e meritonin.Bashkia: Zgjidhjen e kishim gatiKORÇE - "Ditët e fundit Arturi ishte i shqetësuar sepse kishte një konflikt me një fqinjin e tij që po ndërtonte". Kështu është shprehur dje pedagogia I. M. Sipas saj këtë fakt ia kishte pohuar Arturi gjatë bisedës mes tyre. Për këtë qëllim ai kishte shkuar javët e fundit shpesh herë në bashki. "Nuk dua të prishem me komshiun, u kishte thënë Arturi, ai duhet të më respektojë dhe të vijë të bëjmë një deklaratë noteriale me shkrim që nesër kur unë të ndërtoj të mos kemi sherre. Kur unë të ndërtoj dritarja e hapur sot jashtë projektit do t'i zihet". Aty e kishin informuar se K.S kishte premtuar në urbanistikën e bashkisë se së bashku me Arturin do të nënshkruanin një deklaratë noteriale, ku të shkruhej kushti i mësipërm, por kaloi një muaj dhe nuk po bëhej i gjallë. "Ne, në raste të tilla kur ndodhemi para mashtrimit të ndonjë qytetari bëjmë ndryshime në projektet e miratuara, është shprehur dje kryebashkiaku Niko Peleshi. Kështu kishim vendosur ta zgjidhnim edhe këtë konflikt, por mesa duket Arturi nuk priti që të veprohej", deklaroi ai.