Falimentimi i bizneseve, ndryshon ligji
• Qeveria shkurton afatet e shpalljes së falimentimit për bizneset e mëdha dhe të vogla.TiranëNë rast se nuk deklaron xhiro apo del me humbje për më shumë se dy vite, atëherë brenda 30 ditësh tatimet shpallin procesin e falimentit. Gazeta boton ndryshimet në projektin e ri si dhe pasuria që do i merret bizneseve të mëdha dhe të vogla. Falimentimi shpallet edhe me kërkesë të kreditorëve, bankave apo edhe vetë tatimeve. Pasuria e të falimentuarit do të menaxhohet nga një administrator i vetëm, i cili përcaktohet me vendim të gjykatës, nga lista e Ministrisë së Financave dhe Drejtësisë. Ndryshimi i ligjit, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është bërë për shkak se gjatë viteve të tranzicionit janë shumë të rralla, gati inekzistente rastet e falimentimit, ndërkohë që një ekonomi e re duhet të kishte me dhjetëra të tilla.Kur shpallet falimentimiNdryshimi i parë në ligjin e ri është shkurtimi i afatit për shpalljen e falimentimit. Në ligjin e vjetër ishte 3 vjet, ndërsa në të riun është bërë 2 vjet. Pra, në rast se një shoqëri deklarohet me humbje për një periudhë 2-vjeçare, hyn detyrimisht në procesin e falimentimit. Në proces falimentimi futen shoqëritë tregtare, që për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nuk kanë kryer asnjë veprimtari tregtare, ose kalojnë në statusin pasiv, ose nuk kanë aftësi paguese për një periudhë dyvjeçare. Kërkesën për shpalljen e falimentimit mund ta bëjnë shoqëri të tjera tregtare, që kanë dhënë mallra ose shërbime dhe që nuk janë paguar, bankat për rastet e kredive si dhe tatimet për detyrimet ndaj shtetit. Falimentin mund ta kërkoj dhe vetë subjekti. Një rast tjetër falimentimi është mbingarkesa në borxhe, pra kur biznesi ka më pak pasuri se sa detyrime ndaj të tretëve dhe në bazë të rrethanave, vazhdimësia eficente e tij është e pamundur. Kjo vendoset nga gjykata, kur ndaj tij është kërkuar masa e falimentimit. Tatimet duhet që brenda 30 ditëve të dërgojnë për procedim biznesin. Në rast se tatimet, brenda 6 muajsh nga verifikimi, nuk çojnë dosjen në gjykatë, atëherë ministri i Financave fillon procedurën disiplinore për tatimorin përgjegjës. Rastet do të gjykohen nga gjykata në seksionin tregtar, brenda 30 ditëve, e njëjta kohë i është dhënë edhe Apelit. Nga ana tjetër, të gjitha dosjet e falimentimit do të mbikëqyren nga Gjykata e Tiranës. Biznesi i vogëlPër bizneset me xhiro vjetore deri në 1 milion lekë në vit, që nga Ministria e Drejtësisë janë cilësuar si të vegjël, ka procedurë të thjeshtë falimentimi. Kjo bëhet në rast se kreditori dhe debitori bien dakord në gjykatë për mënyrën e shlyerjes së borxhit. Kjo mënyrë paraqitet nga administratori dhe bind gjykatën për mundësinë reale të shlyerjes.SekuestrotSipas projektit të qeverisë, në rast se gjykata vendos për falimentimin, për shkak të borxheve ndaj të tretëve ose ndaj shtetit, atëherë fillon likuidimi i shoqërisë. Përveç pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë, në ligj është parashikuar edhe marrja e pjesëve të trashëgimisë të debitorëve. Pra, në rast se një firmë falimenton dhe nuk ka mundësi që me asetet e saj të shlyejë borxhet, atëherë gjykata dhe administratori i vendosur prej saj mund të marrë edhe pjesën e trashëgimisë të individit, apo aksionerëve për të shlyer borxhet. Në ligj është bërë një ndryshim tjetër, i cili i prek të gjithë aksionerët. Kështu, në rast se ortakët apo aksionerët janë në dijeni të vështirësive financiare, por nuk kërkojnë brenda 3 muajsh falimentimin, atëherë gjykata vendos për to gjobë nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë. Në ligj është hequr mundësia që edhe kreditorët të kenë një administrator. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, menaxhimi nga dy administratorë, ai që vendos gjykata dhe ai që zgjedhin kreditorët, e bën më kompleks dhe të koklavitur procesin.Ndryshimet në ligjin e riShqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, seksioni tregtar.Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit në Gjykatën e Faktit."Ministria e Financave ose autoriteti shtetëror, i ngarkuar prej saj, fillojnë procedurën e falimentimit për shoqëritë tregtare, që:a) nuk kanë kryer asnjë veprimtari tregtare qysh prej 2 vitesh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji;b) kalojnë në status pasiv nga QKR-ja, me përjashtim të rastit kur subjekti ka kërkuar pezullimin e veprimtarisë, sipas ligjeve të veçanta;c) kanë paaftësi paguese prej një periudhe 2-vjeçare.Mosfillimi i procedurës së falimentimit nga organi i ngarkuar nga ministri i Financave ndaj subjekteve tregtare, që janë në gjendje falimentimi, brenda një afati prej 6 muajsh nga dita e konstatimit të kësaj gjendjeje, përbën shkelje disiplinore. Ministri i Financave urdhëron fillimin e procedimit disiplinor ndaj punonjësve tatimorë, të cilët, pa asnjë shkak të ligjshëm, nuk kanë nisur procedurën e falimentimit ndaj subjekteve tregtare në gjendje falimentimi.Autoritetet fiskale, nën juridiksionin e të cilit ndodhet debitori, brenda 30 ditëve nga konstatimi i paaftësisë paguese të debitorit është i detyruar të paraqesë kërkesën, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, për hapjen e procedurës së falimentimit. Organet tatimore përjashtohen nga pagimi i taksave gjyqësore. Për fillimin e procedurës së falimentimit organet tatimore paraqesin në gjykatë:a) Kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;b) Dokumentacionin e shoqërisë (statutin, aktin e themelimit, numrin e NIPT-it);c) Bilancin me pasqyrat financiare të shoqërisë, për të cilën kërkohet fillimi i procedurës së falimentimit.Organi tatimor është i detyruar të krijojë një rubrikë të veçantë, në faqen e internetit, të titulluar: "Shoqëri, për të cilat ka filluar procedura e falimentimit". Publikimi në faqen e internetit të organit tatimor vlerësohet se është i njohur nga të tretët dhe mund t'u kundrejtohet atyre, nga çasti i publikimit.Kur ortakët ose aksionerët e shoqërisë kanë pasur gjatë veprimtarisë dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë dhe nuk kanë paraqitur në seksionin tregtar të gjykatës kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit, brenda një afati prej 3-muajsh, nga dita në të cilën ata kanë pasur dijeni janë personalisht përgjegjës dhe dënohen nga autoritetet fiskale me gjobë nga 200.000 deri në 500.000 lekë.Vlerësohen se kanë interes të ligjshëm për hapjen e procedurës së falimentimit, kreditori, i cili ka ndaj pasurisë së debitorit një interes me karakter pasuror dhe autoritetet fiskale.d) Urdhërimin e detyrimit për publikimin e vendimit në internet, në faqen zyrtare të gjykatës, të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të organit tatimor përkatës.Administratorët e falimentimit përzgjidhen vetëm nga lista shumemërore, e miratuar me akt të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Mënyra e hartimit të listës së administratorëve të falimentimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit është i detyruar të kërkojë të paktën një raportim në 3 muaj.Procedura e thjeshtuar për shoqëritë tregtare të biznesit të vogël Kërkuesi i hapjes së procedurës së falimentimit të thjeshtuar duhet të paraqesë:1. Për shoqëritë tregtare, që kanë një xhiro vjetore deri 1.000.000 lekë, kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit të thjeshtuar mund të bëhet nga çdo kreditor, që ka një interes të ligjshëm.Kreditori, që kërkon fillimin e procedurës së falimentimit të thjeshtuar, duhet të paraqesë në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit Tiranë:a) Kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;b) Kopje të dokumentit, që vërteton detyrimin e tij pasuror;c) Listën paraprake të pasurive të debitorit;ç) Deklaratën, që vërteton se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit Tiranë, pasi dëgjon pretendimet e debitorit dhe të kreditorit, mund të vendosë që procedura e falimentimit të bëhet në mënyrë të thjeshtuar. 3. Kur gjykata vendos për procedurën e falimentimit të thjeshtuar, miraton, në një seancë gjyqësore, planin e shlyerjes së detyrimeve, të hartuar nga administratori i falimentimit dhe kreditorët, në përputhje me interesat e kreditorëve, pasurinë dhe të ardhurat e debitorit, si dhe me fjalinë e tretë, të nenit 268, të ligjit "Për falimentimin". Në këtë rast, nuk zbatohen dispozitat e parashikuara për planin e riorganizimit.4. Administratori likuidon pasuritë e debitorit dhe i shpërndan të ardhurat e realizuara, në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.5. Administratori i paraqet gjykatës një raport për përfundimin e procedurës së falimentimit. E drejta e kreditorëve për të kundërshtuar veprimet e administratorit për procedurën e thjeshtuar mbetet e paprekur.6. Gjykata pas shqyrtimit të raportit të administratorit, kur bindet se procedura është zhvilluar në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve dhe kreditorët nuk paraqesin kundërshtime, merr vendim për mbylljen e procedurës së falimentimit.Çfarë sekuestrohet• E gjithë pasuria e luajtshme ose e paluajtshme në pronësi ose në zotërim• E gjithë pasuria e luajtshme ose e paluajtshme në pronësi ose në zotërim që debitori mund të përfitojë gjatë procesit të falimentimit• Të ardhurat që mund të vijnë nga trashëgimitë• Të gjitha detyrimet që persona të tretë i kanë debitorit• Të gjitha sendet që janë në pronësi të tij, por janë në përdorim (rastet e qirave)Tre kushtet e falimentimit• Kur nuk ka mjete paguese për një kohë të gjatë• Kur nuk përmbush afatin e maturimit për detyrimet e kreditorëve të tij• Kur nuk i përmbush dot plotësisht detyrimet