E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: E majta do ti fitojë zgjedhjet e 2009-ës

Tiranë- “E majta do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2009”. Kështu është shprehur sot kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat pas takimit për reformën zgjedhore të zhvilluar me kreun e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe atë të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe ai i PDS-së, Paskal Milo, janë shprehur të gatshëm për të vijuar frymën e bashkëpunimit mes palëve. Ata duke folur për takimin e sotëm me lidershipin e PS-së, shprehën hapur vullnetin e tyre për ta vazhduar këtë frymë bashkëpunimi, pa përjashtuar edhe partnerët e tjerë të së majtës.

Rama e ka cilësuar reformën zgjedhore një process të domosdoshëm për të transformuar sistemin e kalbur politik. “Reforma zgjedhore për ne nuk është një mekanizëm për të përmbushur interesa të pjesshme, por një proçes për të transformuar një sistem të kalbur politik dhe për t'i dhënë mundësi qytetarëve të këtij vendi që të zgjedhin, subjekteve të konkurrojnë dhe atyre që zgjidhen të qeverisin"- tha ai.

“E majta do t'i fitojë zgjedhjet e vitit 2009”,- tha Rama, duke shtuar se ndihet i keqardhur ndaj mikut të tij, Ilir Meta. “Jam i keqardhur që e shoh përditë e më të mllefosur ndaj PS-së, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›