PDSH: Votoni rezolutën për Kosovën
Partia Demokratike Shqiptare, ftoi sot BDI-në dhe partitë maqedonase të votojnë pro rezolutës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ftojmë partitë maqedonase që në interes të qytetarëve dhe të këtij kursi pro-perëndimor të votojnë këtë rezolutë, kurse BDI-ja të mos sillet si struci që kokën e ka në rërë e trupin jashtë”, u tha sot në konferencën e PDSH-së.
Sipas PDSH-së “është momenti i fundit ku Qeveria e Maqedonisë duhet të sjellë vendim, me apo pa ministrat e BDI-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila do të kontribuojë shumë në stabilitetin e rajonit.
Nga kjo parti theksojnë se PDSH-ja është e qëndrueshme në politikën e saj pro SHBA, NATO dhe BE dhe e ka të gatshme rezolutën, të cilën do t’ia dorëzojë Parlamentit për miratim.
Partia opozitare shqiptare theksoi se edhe pse BDI-ja kishte premtuar njohjen e Kosovës nga Maqedonia menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme kjo u pa se ishte vetëm një premtim bosh.
“Zëdhënësja e Ali Ahmetit në një emision debativ tha se në mbledhjen e parë të Qeverisë do të njohin pavarësinë e Kosovës. I pyesim publikisht, sa mbledhje të Qeverisë janë mbajtur deri tani dhe a marrin pjesë ministrat tuaj në ato mbledhje? Nëse marrin pjesë a guxojnë të përmendin njohjen e pavarësisë së Kosovës?”, u theksua në konferencë. (INA)