Jensen: Institucionet e pavarura nuk po respektohen
Ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen deklaron se është i shqetësuar për përplasjen mes institucioneve, që u shkaktua pas ngjarjeve të 21 Janarit. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Jensen insistoi në faktin se mungesa e respektit për rolin kushtetues dhe pushtetet e institucioneve të pavarura në një demokraci është me të vërtetë shqetësuese.
Zoti Ambasador, ju dhe disa diplomatë të tjerë të lartë në Tiranë, jeni cituar nga një media vendase në një artikull të titulluar: “Ushtria në rrugë, diplomatët përgënjeshtrojnë ministrat”. A mund të na e shtjelloni këtë?
Jam pyetur nga një gazetë, nëse unë e kisha këshilluar qeverinë të përdorte ushtrinë në ngjarje, si demonstrata e datës 21. Zakonisht nuk do të komentoja publikisht mbi një çështje të tillë. Por, meqë në këtë rast, një pjesë e medias krijoi përshtypjen se një këshillë e tillë, shumë e pavend, qe dhënë, e ndjeva të domosdoshme që ta përgënjeshtroj në mënyrë të qartë. Në një situatë kaq të tensionuar si kjo e tanishmja, mitet, - veçanërisht ato që përfshijnë forcën- janë qartësisht joproduktive.
Pasi lexuat dhe dëgjuat deklarata të tilla nga ministrat shqiptarë, mbi çështjet e lidhura me përfshirjen e supozuar të ushtrisë në manifestimet e opozitës në datën 21 Janar, 2011, si përfaqësues i një vendi anëtar i NATO-s, a keni kërkuar shpjegime nga autoritetet përkatëse shqiptare?
Nuk i kam parë tekstet e plota, kështu që nuk jam plotësisht i sigurt për atë që ministrat kanë thënë në të vërtetë. Por, mund të them këtë: ushtria daneze prej shumë vitesh ka bashkëpunuar ngushtësisht me ushtrinë shqiptare dhe ka ndihmuar në zhvillimin e disa aftësive ushtarake të shqiptarëve, përfshirë këtu poligonë, rrjete kompjuterike etj. Faktikisht, vetëm disa ditë më parë, në një ceremoni këtu në Tiranë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit dypalësh për këtë vit. Me kalimin e viteve, ushtria jonë ka arritur të ketë një respekt të madh për kolegët shqiptarë, dhe ne e shikojmë transformimin dhe zhvillimin e ushtrisë shqiptare si një nga historitë vërtet të suksesshme të Shqipërisë. Ushtria shqiptare ka mësuar shpejt mënyrat dhe vlerat e kërkuara nga një vend anëtar, dhe ka treguar profesionalizëm të madh duke u drejtuar larg politikës. Është vendimtare që ushtria si një aleat, por dhe për vetë Shqipërinë, të vazhdojë të qëndrojë mbi politikën.
Duke parë rrjedhën e ngjarjeve, me hendekun e krijuar, i cili po thellohet përditë, midis maxhorancës dhe opozitës, cili do të ishte komenti juaj?
Jam shumë i shqetësuar, me të vërtetë, jo vetëm për përplasjen mes institucioneve, që pasoi ngjarjet e datës 21 janar. Mungesa e respektit për rolin kushtetues dhe pushtetet e institucioneve të pavarura në një demokraci është me të vërtetë shqetësuese.
Pyetja e fundit, por jo më pak e rëndësishme. A ju duket sikur gëzimi i shqiptarëve për liberalizimin e vizave është errësuar nga kjo që po ndodh? A mund të ndodhë më e keqja, d.m.th që ngjarjet të ndikojnë regjimin e tanishëm të vizave, siç kanë nënkuptuar disa qarqe brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Shumica, në mos të gjitha arritjet ndërkombëtare të Shqipërisë, janë subjekt i respektimit të marrëveshjeve të përbashkëta dhe standardeve të kërkuara. Është si p.sh. kur merr lejen e drejtimit të automjetit. Nëse e shkel ligjin, mund ta humbasësh. Megjithatë, dua të theksoj se duke thënë këtë në asnjë mënyrë nuk po nënkuptoj se ndonjë masë e tillë po diskutohet. Thjesht po përpiqem t’i përgjigjem pjesës faktike të pyetjes tuaj.