E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen

Opozita: Ky është provokim dhe shantazh ndaj Ina Ramës
TIRANË- Zëvendëskryetari demokrat i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Beja, ka bërë një ftesë publike për të gjithë kryetarët e Grupeve Parlamentare, anëtarët e Komisioni Hetimor "Për Hetimin e Procedurave të Tenderimit të Rrugës Durrës – Morinë", deputetët e zonave elektorale nëpër të cilat kalon kjo rrugë, si dhe çdo deputet që dëshiron, në një vizitë të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në segmentin Rrëshen-Kalimash, ditën e shtunë. Qëllimi i kësaj vizite sipas njoftimit zyrtar është inspektimi nga afër i punimeve që po kryen në këtë segment të cilësuar nga opozita si "rruga e korrupsionit patriotik". E ndërsa ftesa është publikuar zyrtarisht në faqen zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, partia Socialiste e konsideron atë si provokim që i bëhet opozitës dhe të gjithë atyre që kanë ngritur dyshimet e tyre për mënyrën e prokurimit të kësaj rruge. I kontaktuar nga gazeta nënkryetari i grupit parlamentar socialist njëherësh dhe kryetar i komisionit hetimor për prokurimet, Erion Brace e ka cilësuar ftesën e Bejës si cinike dhe që ka një ndikim negativ shumëdimensional. "Ne nuk jemi njohur me këtë ftesë, por nëse është e vërtetë dua të them se ky është një provokim që i bëhet opozitës, karakteristikë e z.Beja, në një kohë kur ka dështuar komisioni hetimor parlamentar i rrugës Durrës-Kukës- Morinë, i kërkuar nga vetë demokratët, si dhe kur është bllokuar puna e komisionit tjetër hetimor për Prokurimet Publike", - u shpreh Braçe. Gjithashtu, sipas tij vizita që kërkon të bëjë nënkryetari i Kuvendit, ashtu si edhe ajo që kreu disa ditë më parë edhe shefi i ekzekutivit Sali Berisha, janë shantazhe të hapura për kryeprokuroren Ina Rama, me qëllim që kjo e fundit të heqë dorë nga hetimi i kësaj rruge. Ai ka bërë të qartë se opozita do të pranojë të vizitojë punimet në këtë rrugë, menjëherë sapo organet e drejtësisë do të japin vendimin e tyre për akuzat për korrupsion që janë ngritur për një sërë zyrtarësh të lartë shtetërorë, përfshi këtu dhe ish-ministrin e Punëve Publike, Lulëzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›