E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Fitorja e kauzes per voten e lire eshte afer”

Kryetari i PS-së, thirrje për vazhdimin e protestës: “Zgjidhja është afër”

Albert Gjoka

Mitingu i 14 majit, i paralajmëruar si “ultimatum demokratik” për maxhorancën, ka përfunduar me lule dhe me pak tensione, por duke hequr çdo lloj hamendjeje për radikalizim deri në dhunë të protestës së radhës së opozitës. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht në vendin ku po zhvillohet greva, është mbushur me të paktën 100 mijë mbështetës, të cilët kanë kërkuar sërish hapjen e kutive. “Do të rezistojmë me kurajë e durim dhe do ta fitojmë këtë betejë për të vërtetën pa thyer asnjë xham dhe këputur asnjë lule”, - u është drejtuar Rama mbështetësve, disi ndryshe nga disa prej aleatëve të PS-së, të cilët kanë kërkuar që të mos lëvizin nga sheshi pa u dhënë përgjigjja për skemën e kompromisit që thuhet se kanë lëshuar ndërkombëtarët në tavolinën e kreut të maxhorancës, për të cilën opozita flet se e ka pranuar në parim. Ai ka deklaruar se nuk do të bëjë të njëjtën zgjidhje që bëri opozita e 12 viteve më parë. Në mbyllje, kryesocialisti Rama u ka kërkuar mbështetësve që protesta të vazhdojë duke paralajmëruar një zgjidhje shumë të shpejtë të krizës politike.

Mitingu
Takimi i djeshëm, më i madh në numrin e pjesëmarrësve sesa ai i 30 prillit, apo mitingjet e tjera të opozitës gjatë 8 muajve në betejën e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përfundoi duke lënë të hapur betejën e protestës dhe të grevës së rreth 200 deputetëve dhe mbështetësve të PS-së. Krerët e partive opozitare flasin për një pjesëmarrje prej rreth 250 mijë personave, ndërsa Ministria e Brendshme nxori pamje filmike nga ajri, duke pretenduar se dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin mijëra veta. Grupe të mëdha njerëzish, të ardhura nga rrethet e vendit, janë mbledhur në shesh për t’u solidarizuar me grevistët dhe për të kërkuar një zgjidhje urgjente të krizës, për të cilën kreu i PS-së ka shfaqur shenja se ka ofruar një skemë kompromisi të ofruar nga ndërkombëtarët gjatë ditëve të fundit.

Vazhdimi
Ndonëse grevistët kanë hyrë në ditën e 15-të të grevës dhe të paktën 35 persona janë hospitalizuar, kryetari i PS-së shtroi idenë për vazhdimin e protestave. Gjatë fjalës së tij në miting, disa simpatizantë, që u tha se ishin nga Shkodra, tentuan të provokonin forcat e policisë. Por Rama iu drejtua me këtë mesazh: “Të dashur djem, unë ju admiroj për fuqinë e protestës suaj. Por ju them që ata aty nuk janë Sali Berisha, nuk janë pushteti, por janë vëllezërit tuaj. E nuk janë aty përveç një detyre që duhet ta bëjnë. E ne nuk jemi këtu për t’u marrë me policinë, por për ta ftuar policinë që mos të merret me ne. Për ta ftuar policinë të shohë nga Kushtetuta e ligji e mos të përdoret nga interesat e pushtetit”. Përfoljes për një protestë të shoqëruar me veprime të dhunshme, kryesocialisti Rama iu përgjigj: “E mirëkuptoj zemërimin e ligjshëm të secilit prej atyre që kanë humbur durimin në këtë vend të marrë peng nga varfëria e papunësia; në këtë vend marshojnë çdo ditë mbi ëndrrat e shpresat e njerëzve. Po kurrë nuk kam besuar te dhuna dhe kurrë nuk do të dyshoj te rezistenca paqësore si e vetmja forcë që mund ta zmbrapsë të keqen për t’i hapur rrugën lirisë”.
Alternativat
Gjatë fjalimeve që mbajtën aleatët e PS-së në opozitë, u shpallën afate, u deklaruan “ultimatume demokratike” dhe u shtruan alternativa. Propozimi më radikal në vijim të protestës ishte ai i zotit Spartak Ngjela, i cili kërkoi që protestuesit dhe grevistët të mos lëvizin derisa Berisha të japë përgjigje për kompromisin që i kërkohet nga ndërkombëtarët. Thuajse në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili legjitimoi çdo veprim të qytetarëve në rastin kur pushteti cenon votën. Edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, parashtroi një ultimatum demokratik për zotin Berisha, duke i kërkuar hapjen e kutive, ose zgjedhje të parakohshme. Këtë alternativë e mbështetën edhe drejtues të tjerë të partive opozitare, si Nard Ndoka i PDK-së apo Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Përgjigjja
Kryetari i PS-së, gjatë fjalimit të tij, përmendi simbolikën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në të shkuarën e afërt të tij. “Ne nuk kemi dalë në rrugë për të shkatërruar e djegur Shqipërinë, po për të ndaluar dorën që shkatërron ëndrrat e djeg shpresat e shqiptarëve”, - tha kryetari i PS-së. “Nuk jetojmë më në Shqipërinë ku e vërteta joqeveritare mund të burgosej me vite e dekada dhe as ngjajmë gjëkundi ne me opozitën që digjte institucionet e bashkë me to fytyrën e Shqipërisë”, - tha kryetari i PS-së, duke bërë thirrje për “rezistencë, kurajë dhe durim”.
Kryetari i grevës së urisë, Fatmir Xhafa, duke folur në emrin e rreth 200 personave që janë të ngujuar në çadra prej 15 ditësh, paralajmëroi të vetmin kusht: se nuk do ta njohin qeverinë dhe do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme nëse maxhoranca nuk plotëson kërkesat e saj.

Ilir Beqja
“Ne po zhvillojmë betejën më të madhe”

“Qytetarë e qytetare nga Veriu në Jug e ju që na ndiqni nga sateliti në Europë e në Amerikë. Sekondë mbas sekonde, minutë mbas minute, ne po zhvillojmë ndoshta betejën më të madhe. Me forcën tuaj ne po i themi jo forcës barbare të Policisë së Shtetit, që para dy ditësh arriti të prekte ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko”.

Elsa Lila
“Greva, për t’iu dhënë dritë”

“Në mes tuaj kam qëndruar/ E jam duke përvëluar/ Që t'u ap pakëz dritë/ Natënë t'ua bëj ditë”. “Ashtu si te Fjalët e Qiririt, - iu drejtua ajo më tej qindra mijëra shqiptarëve përballë Kryeministrisë, - ashtu dhe ne jemi 200 qirinj që po tretemi dita-ditës për lirinë, paqen, kombin tonë, me shpresën për t’u dhënë të gjithëve dritë”.

Olta Xhaçka:
“Ne sjellim Europën në dyert e qeverisë”

Shumë kanë dashur ta zhvlerësojnë protestën tonë duke sjellë me dhunë para Bashkisë fëmijë e mësues që të protestojnë kundër grevistëve me argumentin se kjo pengon liberalizimin e vizave. Ne jemi këtu ta sjellim Europën në dyert e qeverisë, që çdo qytetar ta jetojë këtu e jo ta gjejë në dhe të huaj”.

Erion Veliaj
“I gjithë populli nuk e do këtë qeveri”

Kreu i G99-s iu drejtua ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili u pa në tarracën e Kryeministrisë teksa zhvillohej protesta, me fjalët: “Zbrit poshtë e tako popullin tënd! Zbrit nga Kryeministria e tregoju shqiptarëve pse i ke lënë shqiptarët pa viza, pse i ke lënë të varfër dhe tregoji babës tënd, Sali, se i gjithë populli sot nuk ju do më”.

Blendi Klosi
“Tani ka vetëm fitore”

Kam tri legjislatura në Parlamentin shqiptar. Por kjo periudhë ka qenë më e lavdishmja e Partisë Socialiste. Greva u bë mishërim i të gjithë shqiptarëve. Edhe ata që nuk janë me ne, janë sot këtu. Ne nuk jemi më politikanë, por misionarë të lirisë, të transparencës, të Europës. Nga ky moment ka vetëm fitore”.

Fatmir Xhafa
“Transparencë, ose zgjedhje të parakohshme”

“Po kërkojmë transparencën e votës. Nëse ky njeri nuk do të pranojë, ka vetëm një rrugë: të mos e njohim më këtë qeveri, t’i kërkojmë të largohet nga pushteti e të kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Ne grevistët, që kemi 14 ditë në këtë grevë urie, mund të negociojmë për kërkesat tona, po s’jemi të gatshëm të bëjmë pazare në kurriz të demokracisë”.

Nard Ndoka
“Berisha ka dy rrugë: kutitë, ose zgjedhjet e reja”

Shqiptarët gjenden sot para dilemës së tyre më të madhe në këto 20 vite pluralizëm: ose të zgjedhin burgun e Berishës, si një sulltan i vërtetë që kërkon të nënshtrojë pluralizmin, demokracinë tonë që kemi arritur në këto vite, ose të respektojë vullnetin politik për të hapur kutitë. Në rast të kundërt, t’u hapet rruga zgjedhjeve të reja”.

Paskal Milo
“Berisha të dëgjojë ultimatumin demokratik”

“Shqipëria nuk mund të durojë më. Ne i kemi bërë thirrje shumë herë Sali Berishës. Kjo është furtuna e fundit që po kalon Shqipëria. Sali Berisha duhet të mendohet mirë; të respektojë këtë popull sa nuk është vonë. Ai duhet ta dëgjojë këtë ultimatum demokratik. Fitorja e demokracisë dhe votës së lirë është shumë, shumë afër”.

Skënder Gjinushit
“Zgjidhja, largimi i Berishës”

“Greva ka vetëm një emër: Sali Berisha. Zgjidhja ka vetëm një emër: largimin e Sali Berishës. Kur deformohet vota e popullit, çdo popull europian del në shesh deri në rivendosjen e votës së lirë, siç keni dalë ju sot për të vendosur këtë standard demokratik, ndaj keni mbështetjen e botës demokratike”.

Spartak Ngjela
"Sot në tryezën e këtij kryeministri është hedhur kompromisi i propozuar nga SHBA, BE dhe OSBE dhe ky palaco që nuk bën gjë tjetër veçse bredh, nuk pranon kompromisin. Ne nuk duhet të lëvizim nga ky shesh pa marrë përgjigje prej tij për kompromisin e propozuar nga fuqitë perëndimore".

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›