SHBA-BE-OSBE, dy pikat e marrëveshjes së pranuar nga Rama e të refuzuar nga Berisha
Armando Meta
Zbardhen disa prej detajeve të marrëveshjes që ndërkombëtarët u kanë afruar të firmosin dy drejtuesve kryesorë të politikës në vend, Berishës dhe Ramës. Mësohet se thelbi i këtij kompromisi konsiston në dy elemente: në hetimin e materialeve zgjedhore që përmbajnë kutitë e votimit dhe më pas verifikimin e të dhënave që dalin nga ky hetim me fletët e votimit që ndodhen brenda këtyre kutive. Sa i përket hetimit të materialeve zgjedhore, numri i të cilave ende nuk është përcaktuar, këtë proces do ta drejtojë opozita në Parlament nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar. Por sa të besueshme janë të dhënat që dalin nga ky hetim me të vërtetat që gjenden brenda në kutitë ku ndodhen edhe fletët e votimit? Për këtë ndërkombëtarët duket se kanë gjetur edhe një zgjidhje, e cila do të mundësojë verifikimin e të dhënave që dalin nga hetimi parlamentar me fletët e votimit që gjenden brenda në kuti. Ndonëse jo me detaje, mësohet se ndërkombëtarët kanë propozuar në marrëveshjen që pret firmat e Berishës dhe të Ramës, që verifikimi i fletëve të votimit të bëhet ose në Komisionin e Venecias, ose në Bruksel. Në këtë mënyrë pritet të bëhet edhe ballafaqimi midis konkluzioneve të dala nga komisioni hetimor parlamentar dhe fletëve të votimit që gjenden brenda në kuti. Kjo zgjidhje mësohet se është pranuar nga Rama, por që ende s’ka marrë një përgjigje pozitive nga Berisha. Duket këtë kishte parasysh edhe avokat Spartak Ngjela, i cili deklaroi mbrëmë në protestën e opozitës se “kryeministri Berisha nuk pranon kompromisin e ofruar nga SHBA-të, BE-ja dhe OSBE-ja”. Tashmë shihet qartë se i gjithë presioni i ndërkombëtarëve është përqendruar te kryeministri Berisha që ai të pranojë marrëveshjen e ofruar. Por shtrohet pyetja: A do ta pranojë Berisha këtë marrëveshje, e cila në thelb bën edhe transparencën e fletëve të votimit që ndodhen në kuti? Ka pak gjasa që kryeministri të lejojë verifikimin e fletëve të votimit që ndodhen brenda në kutitë zgjedhore. Është e qartë se ai e di shumë mirë se çfarë përmbajnë kutitë dhe se si është e vërteta që gjendet e mbyllur në këto kuti. Hapja edhe e disa kampionëve që mund të provojnë se rezultati i procesverbaleve nuk pasqyron të vërtetën që përmbajnë kutitë e votimit, do të njolloste legjitimitetin e qeverisë, gjë që do të ketë edhe kostot e saj politike. Në këto rrethana, Berisha mund të ruajë si “As nën mëngë” më mirë ballafaqimin elektoral, duke ofruar zgjedhje të parakohshme, sesa të lejojë zbardhjen e së vërtetës që ndodhet në kutitë e votimit.
15 Maj 2010