E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani e Korça mbyllen në mëngjes, me barazi mandatesh

 

ELBASAN/ KORÇE – Ato pak vota që u morën në favor të njërës parti apo tjetrës nuk ndikuan aspak në rezultatin final në zgjedhjet e kryera në qarqet e Elbasanit dhe Korçës mes PD-së dhe PS-së. Në të parin morën mandate nga 7 deputetë, ndërsa në Korçë nga 6 deputetë prej dy partive të mëdha në vend. Vendimi është marrë mëngjesin e ditës së djeshme, duke mbyllur në këtë mënyrë ankthin se si do të ndaheshin votat e kutive të fundit. Në Qarkun e Elbasanit, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike ka marrë 21.495 vota, ndërsa 20.987 vota për atë të udhëhequr nga Partia Socialiste. Dy koalicionet e tjera, të LSI-së dhe Poli i Lirisë nuk kanë mundur që të sigurojnë numrin e votave për të kapërcyer pragun elektoral. Nga 96 kuti që kishte qarku i Elbasanit vetëm 94 janë numëruar, kjo pasi dy kutitë e mbetura janë shpallur si të pavlefshme nga ana e anëtarëve të KZAZ numër 12 në Bashkinë e Elbasanit. Rezultati me mandate duket se ka favorizuar Partinë Demokratike në Elbasan, pasi që prej vitit 1991 ajo nuk kishte mundur të kishte 7 deputetë në parlament. Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur me Partinë Socialiste, e cila jo vetëm që duket se është jashtë objektivave, por nuk ka mundur të ruajë dot as rezultatet e vitit 2005, kur siguroi 9 deputetë në qark. Megjithatë përfaqësuesit e Partisë Socialiste e kanë justifikuar këtë rezultat me ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Procesi i votimit dhe ai i numërimit në Qarkun e Elbasanit ka shkuar krejtësisht i qetë dhe në këtë proces nuk u regjistrua asnjë incident që mund të cenonte procesin e votimit dhe të numërimit të votave, kjo falë dhe komunikimit të kulturuar që përdorën 28 përfaqësuesit e të dyja forcave politike në këtë qark, i cili renditet i treti për nga numri i mandateve në rang vendi. Me të njëjtën qetësi ka përfunduar dhe procesi në Korçë. Megjithëse PS arriti të marrë më shumë vota se PD, mandatet e deputetëve në zbatim të Kodit Zgjedhor u ndanë në mënyrë të barabartë. Kështu PS mori 6 mandate deputetësh dhe PD po 6 mandate deputetësh. Numërimi i votave në shkallë qarku në përgjithësi kaloi normalisht, edhe pse komisionerët e të dy kaheve politike krijuan pengesa, mosmarrëveshje e vonesa mes tyre, të cilat zgjatën tej kohës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor procesin e numërimit. U vu re se zgjedhësit e qyteteve të Korçës, por edhe të Ersekës votuan në mënyrë më masive alternativën e majtë, PS, LSI dhe PBDNJ, ndërsa Pogradeci dhe Devolli atë të PD-së. Nëse do të kishte pasur një aleancë parazgjedhore mes Bashkimit për Ndryshim dhe Aleancës për Integrim nga qarku i Korçës do të kishte dalë edhe një deputet tjetër për të majtën shqiptare.                      a.k/j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›