Zgjedhjet, shpërblim 5500 policëve
Etleva Delia
Pas notës vlerësuese të OSBE/ODIHR-it dhe organizmave të huaj gjatë procesit zgjedhor, policia merr edhe një shpërblim financiar. Çdo punonjës që ka shërbyer gjatë ditës së votimit dhe më pas gjatë numërimit të votave do të shpërblehet me një shumë të konsiderueshme, që shkon deri në 20 mijë lekë të reja. Lajmi është konfirmuar nga drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila ka kërkuar dhe fondin për shpërblimet e uniformave blu. Burime nga kjo drejtori bënë të ditur për gazetën “Panorama”, se për 5500 policë që shërbyen gjatë votimit dhe numërimit të votave, është kërkuar një fond prej rreth 95 milionë lekë të reja. Ky fond ende nuk është përfundimtar, pasi është në varësi të gjendjes së gatishmërisë që do të jenë efektivat e policisë, deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit të votave. Ndërkohë është menduar se shpërblimi të jetë gati dyfish për 458 punonjësit e policisë së Tiranës, të cilët u angazhuan gjatë zgjedhjeve jashtë kryeqytetit, në Dibër, Fier, Elbasan dhe Korçë.
VLERESIMI
Punonjësit e policisë që u angazhuan nga Tirana në rrethe, përfitojnë shpërblim në shumën 40 mijë lekë të reja, me qëllimin që kjo shumë t’ua kompensojnë faktin se kanë shërbyer larg vendbanimit dhe vendit të punës. Në raportin paraprak të misioneve të huaja që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri, nuk u shënuan vërejtje lidhur me zbatimin e detyrave prej punonjësve të policisë. Po ashtu, sipas organizatave të huaja, edhe automjetet ishin me shenja dalluese dhe veprimet të monitoruara. Ndërkohë në ato raste kur policisë i është kërkuar të ndërhyjë në qendrat e votimit, ndërhyrja e saj është vlerësuar e ligjshme dhe e paanshme. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë radhë për uniformat blu nuk u dhanë vetëm “fletë lavdërimi”, por pritet të jepet një shpërblim i konsiderueshëm në të holla. Pritet që së shpejti të miratohet fondi prej rreth 95 milionë lekë, i kërkuar nga drejtuesit e policisë për shpërblimin e të gjithë punonjësve që morën pjesë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.