E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Garda fshehu provat, vrasjet s’ishin rikoshet

Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi dje, se Garda e Republikës tentoi të prishte provat pas 21 janarit 2011. Duke folur në emisionin “Opinion”, Ina Rama tha se nuk kishte folur kurrë në telefon me kryetarin e PS-së, Edi Rama.

“21 janari”, përse është vonuar hetimi?
Nuk mund të them që është vonuar. Që në ditën e ngjarjes, Prokuroria e Tiranes ka qenë në detyrë, sepse për shkak të natyrës së ngjarjes, u deshën të ndërtoheshin disa grupe pune për çdo sektor. U morën prova, armët e Gardës; u pyetën personat, me shqyrtimin e pamjeve filmike; u dërguan në gjyq 21 persona dhe për sa i përket hetimit të vrasjeve, u detyruam të presim, pasi i çuam një kërkesë SHBA-ve për ndihmë.
Nuk mund t’i kryenit ju këto veprime vetë, hetimin e vrasjeve, verifikimin e serverit dhe rindërtimin e ngjarjes?
Disa prej tyre ishin të pamundura, si rindërtimi në 3D dhe pastrimi i pamjeve. Laboratori këtu bëri disa analiza, por jo të gjitha. Dy ishin arsyet pse kërkuam ndihmën e FBI-së: 1. Për një nivel më të lartë profesional; 2. Për një çështje kredibiliteti.
Ka ardhur ndonjë prokuror amerikan për 21 janarin?
Po.
Pse nuk ndoqët të njëjtën logjikë për hetimin e organizimit të protestës?
Prokuroria e Tiranës ka qenë gjithnjë në krye të hetimit gjatë gjithë kohës. Policia e Shtetit ka marrë përsipër të bëjë investigimin për organizatorët, por edhe për këtë pjesë, për rindërtimin e vendit të ngjarjes, ne i kemi dërguar një kërkesë FBI-së, edhe për pastrimin e pamjeve. Por s’mund të kërkonin oficerë amerikanë që të merrnin në pyetje, se kush i kishte organizuar. Ne kemi dyshime që janë të organizuar, por po hetojmë.
Duheshin apo nuk duheshin pyetur këta persona në lidhje me deklaratat e bëra nga opozita?
Unë mendoj që prokuroria nuk ka parë elementë të veprës penale. Unë di që për deklaratën e Ngjelës është bërë një relacion për nxitje të dhunës, por ajo do një thirrje reale.
Një nga problemet ishte urdhër-ndalimi i 6 gardistëve. Përse u kërkua ndalimi i zinxhirit drejtues të Gardës?
Dua të bëj një sqarim ligjor për zinxhirin drejtues. Këta 6 emra nuk janë zinxhiri drejtues i Gardës, këta ishin drejtues të njësive. Jemi në 21 janar dhe konstatojmë disa ngjarje me produkt kriminal. E para janë vrasjet, 3 viktima dhe 1 plagosje e rëndë me pasojë vdekjen, shumë të plagosur dhe shumë punonjës policie të dëmtuar.
Ju i quajtët ngjarje në Bulevard?
Sepse aty është vendi i ngjarjes. Është term ligjor. Ajo është rruga. Patëm pamjet filmike, ndërkohë ishte mbaruar këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nuk ishte gjetur asnjë gëzhojë, gjë që tregon se nuk janë përdorur armë nga protestuesit. Mjekët thanë që janë vrarë me puthitje; prokurorët konstatuan ushtarë që mblidhnin gëzhoja, pra pamë që kishte një tendencë për të manipuluar hetimin dhe arsyetimi ishte që të shihnim se kush ka qenë në territorin e Kryeministrisë dhe pamë që këta individë të urdhrave ishin në detyrë në Kryeministri. Ne nuk e dinim se ku ishin vendosur, por pamë që këta ishin individët që kishin menaxhuar ushtarët e Gardës. Duke parë që plumbat erdhën nga Garda, duke parë procesin e manipulimit, ne vendosëm të pyesnim oficerët e Gardës sa më shpejt, për të marrë një dëshmi reale. Të 6 personat të pyetshin menjëherë, pa u lënë atyre mundësinë të ndërtonin një version që të ishte larg të vërtetës.
Pse nuk ndoqët procedurën e Gjykatës?
Arrestimet janë pas 1 viti, urdhër-ndalimet janë në kushte emergjence. Prokuroria e përdor, pasi është e parashikuar në ligj.
A kishte të drejtë Mazhoranca të ishte skeptike për ju, kur një bisedë mes jush dhe Burgajt, doli në një konferencë për shtyp nga Edi Rama?
Urdhrat e ndalimit janë dorëzuar në 6 të mëngjesit dhe në 7 të mëngjesit drejtori i kabinetit të zotit Burgaj ka telefonuar një nga zv/prokurorët e Tiranës dhe i ka thënë që urdhrat nuk zbatohen se janë me lapsuse. Lapsusi ishte se brenda ishte i njëjti emër. Prokurorët thonin që ky lapsus nuk e bënte të paekzekutueshëm urdhrin. Është hera e parë e paprecedent që urdhrat të mos zbatohen. Pasi janë ezauruar disa hallka, unë kam folur me zotin Burgaj. Dua të them që ka qenë një çështje e diskutuar gjithë ditën në Prokurori e Polici. Fjala ‘lapsusi’ është përmendur që në mëngjes, sepse lapsusi ka qenë motivi i moszbatimit të urdhrit. Unë them që fjala Lapsusi nuk ka dalë nga biseda me mua.
A keni folur atë ditë me zotin Rama?
As atë ditë, as një herë tjetër.
A keni folur me zotin Topi dhe a ka insistuar ai për ndalimet?
Kam komunikuar ditën e ngjarjes dhe në vijim dhe e kam informuar. Ka qenë komunikim normal. Nuk ka pasur asnjë insistim. Ka kërkuar angazhim maksimal.
A mendoni që një grup i protestuesve ishte me një axhendë të ndryshme?
Mua më takon të mendoj. Mua më takon të hetoj, të provoj dhe të akuzoj.
A jeni i sigurt që grupi hetimor ka qenë i motivuar politikisht?
Nuk kam asnjë të dhënë që ka qenë i motivuar politikisht.
A ka ndërhyre Arvizu për të gjetur një zgjidhje mes jush dhe policisë më 23 janar?
Më shumë ICITAP-i dhe OPDATI-i për të gjetur një zgjidhje për urdhër-ndalimet.
A ka insistuar Ambasadori për një hetim gjithëpërfshirës?
Përgjegjësia ishte e jona dhe hetimi nuk është vetëm për vrasjet, por për gjithçka. Kemi qenë të gjithë koshientë për rëndësinë e ngjarjes.
Ju keni në dorë ekspertizën e FBI-së. Serveri u konstatua nga ju apo FBI-ja?
U konstatua fillimisht nga Laboratori i Policisë Shkencore. Ne e dërguam me shpresën e rikuperimit, se do na ndihmonin, sepse ishin të vetmet pamje nga brenda. Nuk u rikuperuan dot.
Kryeministra thotë që ju ka çuar një letër, në të cilën ju informon për riformatimin e Serverit...
Në 4 mars ka ardhur një shkresë, ku informohemi për një auditim që i ishte bërë sistemit të kamerave dhe vihemi në dijeni për rezultatin e auditit,të kryer nga një kompani private me iniciale “TIS”. Aty thuhet, që sistemi i kamerave ka qenë në punë, ndërkohë që Kryeministria tha që nuk ka qenë në punë. Na erdhën pamje të një kamere të dytë dhe në shkresën e kompanisë flitet për formatim. Janë bërë dy formatime. I pari është bërë në orën 12 të datës 21 janar dhe nuk konstaton formatimi i orës 00:51 të 22 janarit. Ne themi që është bërë për të penguar hetimin. Personi i ndaluar merret me serverin, ku administrohen pamjet. Dhe ai pranon që ka bërë formatimin e orës 12 në drekë për të qenë bosh dhe për të regjistruar sa më shumë pamje. Por nuk pranon formatimin e dytë.
Ju kërkuat “Vrasje me dashje”. Jeni e bindur apo ka qenë tejkalim detyre?
Derisa kemi regjistruar këtë veprën, kemi bindje që është kjo vepër.
Pse është vrasje me dashje?
Kemi konsultuar ligjin për Gardën, armët e zjarrit, tubimet. Rregulli është që tubimet kthehen në të dhunshme dhe parimi është që duhet të përdoret minimumi i forcës. Rregulli thotë që, nëse tenton të hyjë në Kryeministri, paralajmërohet disa herë. Ne kemi parë nga pamjet filmike dhe nga vendi ku janë goditur, se viktimat nuk kanë qenë duke sulmuar Kryeministrinë dhe kanë qenë jashtë rrethimit. Prandaj themi që është vrasje. Ne kemi thënë që nuk ka identifikuar person, por kemi thënë që është qëlluar në turmë.
Sipas Komisionit Hetimor, ka rezultuar se pas këqyrjes së trupave të viktimave, të gjithë plumbat kanë qenë të dëmtuar, duke ngritur kështu dyshimet se ato kanë qenë rikoshet. A e keni ngritur juve këtë hipotezë?
Në dijeninë time, kjo hipotezë është ngritur për plumbin e viktimës Ziver Veizi. Unë nuk kam dëgjuar për tjetër person. Për predhën e Veizit ne ja kemi shtruar FBI-së si pyetje dhe na ka thënë që plumbi nuk ka shenja që të jetë rikoshet. Nuk është ngritur për viktimat e tjera.
Kur do të paraqitet akuza e plotë në Gjykatë?
Po përpiqemi ta finalizojmë sa më shpejt. Për shkak të pyetjeve të personave të ndaluar, mund të lindë nevoja për hetime të tjera. Nuk mund të them një afat, pasi nuk e di çfarë nevojash mund të jenë.
A ndiheni e paragjykuar në këtë hetim?
Mazhoranca është shprehur për mosbesim.
Berisha ka thënë që ju jeni vetë për t’u hetuar. Si e komentoni?
Është presion për hetimin, por gjithashtu them që e vetmja frik që kam është nga ligji. Unë i bëj gjithmonë llogaritë me ligjin dhe them se përderisa nuk e kam shkelur atë, nuk kam frikë.
Pse nuk e thërrisni Edi Ramën?
Nëse ai do thirret, do jetë për nevoja të hetimit dhe jo për dëshirën e tij. Rama mund të paraqitet dhe të japi deklarime kur të dojë.
Më informojnë që në shkurt 2011 është nisur një kallëzim për kryengritje, janë refuzuar kërkesat për hetimin e deputetëve....
Policia e Tiranës ka bërë një referim të veprës penale, që është referimi që bën gjithnjë policia, e cila njofton prokurorinë për një ngjarje. Është ky referim që po hetohet. Ky është akti i parë që bëhet për të nisur hetimi.
Hetimi fillon me tabulatet...
Policia s’e ka thënë kurrë këtë gjë dhe nuk e thotë Policia radhën e hetimit. S’mund të fillosh me tabulatet, kur ke pamjet dhe gjërat me të prekshme. Policia nuk e ka thënë kurrë, nuk e ka kërkuar kurrë këtë gjë.
Serveri nuk administrohet nga Këshilli i Ministrave...
Sipas shkresave, serveri administrohet prej Këshillimit të Ministrave. Ne na ka rezultuar që administrohet nga IT. Përderisa nuk ka qenë kështu, duhet të sillet një shkresë ku të thuhet që nuk administrohet nga ne.
Nëse ka një goditje të një institucioni të hetohet sulmi...
Nëse shkatërrohet godina, atëherë hetohet për “shkatërrim prone”.
Mazhoranca e ka cilësuar sulm ndaj institucionit?
Nuk mund ta them, sepse duhet të hetohet për këtë gjë. Unë po hetoj për një “tubim të paligjshëm”. Është një çështje provash.
Dyshimi juaj është për ngjarje në bulevard...
Ne po hetojmë për disa vepra penale dhe unë e shikoj në çështje ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›