E Diel, 1 Nëntor 2026

Laska: Pasuritë, vetëm 70% e zyrtarëve i deklarojnë

 

Zyrtarët e lartë të shtetit, janë të vonuar në dorëzimin e deklaratave të pasurisë

TIRANË- Zyrtarët e lartë të shtetit, janë të vonuar në dorëzimin e deklaratave të pasurisë. Inspektorja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive, Fatmira Laska ka bërë publike dje shifrat e para të deklaratave të dorëzuara deri në ditën e fundit të afatit për zyrtarët, që ishte 31 marsi. Deri në këtë datë, sipas Laskajt, janë dorëzuar rreth 70 për qind e deklaratave ndaj dhe ajo e konsideroi të pajustifikueshëm mosdorëzimin e plotë të deklaratave. "Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qendrore të shtetit (struktura bashkëpunuese mes Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e institucioneve publike) janë trajnuar prej nesh, kemi pasur kontakte të vazhdueshme me ta dhe për këtë arsye nuk kanë asnjë justifikim për vonesa në dorëzimin e deklaratave të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim në institucionet e tyre",- tha Fatmira Laska. Në këtë drejtim, Kryeinspektorja e ILDKP-së i ka bërë thirrje zyrtarëve të përmbushin në afat detyrimin ligjor, duke iu referuar atyre që iu është lënë nga ligjvënësi një afat 15-ditor përtej datës 31 mars, për shkak se institucionet në të cilat punojnë, janë larg kryeqytetit apo kanë shumë punonjës dhe me një shpërndarje në të gjithë vendin. "Prandaj, ne kërkojmë strukturat e administratës, sidomos të nivelit qendror, të ngarkuara për dorëzimin e dokumentit "deklaratë e interesave private" pranë ILDKP-së, ta plotësojnë sa më shpejt detyrimin e tyre ligjor",- tha ajo. Në vijim, Fatmir Laska ka theksuar se, "në rast vonesash të pajustifikuara, do të vendoset masa administrative "gjobë" për zyrtarët, por edhe për autoritetet përgjegjëse, nëse do të verifikohet nga kontrollet që do të kryejë shumë shpejt stafi i ILDKP në institucionet publike". Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Laska bëri me dije se, deri ditën e fundit të afatit për zyrtarët, pra deri më 31 Mars, në Inspektoratin e Lartë ishin të dorëzuara vetëm 50 për qind e deklaratave. Në këtë ditë, ILDKP paraqiti në Kuvend raportin vjetor për vitin 2007, ku u theksua edhe problematika e vonesave në deklarim, dhe një ditë më pas numri i deklaratave të dorëzuara në ILDKP arriti 72 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›