E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Grushte dhëmbëve të pushtetit

 

Aristir Lumezi

Sali Berisha nuk do më përkulë dot! Kreu socialist iu përgjigj flakë për flakë dje akuzave të Sali Berishës, duke i thënë se nuk do arrijë asgjë përmes tyre. “Meqë e përmend shpesh tim atë dije se, nuk do të mundesh kurrë ta përkulësh Edi Kristaq Ramën. Nuk do të mundesh kurrë të cenosh nderin dhe dinjitetin e familjes sime, çfarëdo të thuash dhe sado ta përsërisësh.
Nuk do të arrish kurrë të zmbrapsësh Partinë Socialiste, deputetët dhe deputetet e saj që po i bëjnë vendit një shërbim historik dhe nuk do të të ndahen derisa të të ballafaqojnë me të vërtetën”, u shpreh Rama, gjatë një deklarate për mediat mbrëmë vonë në selinë e PS-së. Duke përdorur të njëjtat epitete, si dhe kundërshtari i tij politik, Rama tha se populli opozitar do t’i shkulë të gjitha dhëmbët korrupsionit qeveritar. “Nuk do t’ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar, që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t’i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre”, u shpreh Rama. Duke i marrë me radhë të gjithë argumentet që ngriti Kryeministri Berisha, Rama tha se kreu i ekzekutivit dështoi në korruptimin apo blerjen e deputetëve socialistë. “Berisha shpif sepse pa 100 mijë vetë që i kërkojnë dhe do t’i kërkojnë, deri në fund, jo pushtetin e tij mizerabël, po të drejtën e tyre të panegociueshme. Dhe e bëri kur e kuptoi se me të vërtetë nuk ka asnjë shans të joshë e blejë me paratë e ndyra të korrupsionit deputetët që i duhen për të thënë se Parlamenti ekziston dhe s’është vetëm një komitet qendror banal i partisë në pushtet”, u shpreh kreu socialist. Rama ngriti disa herë pyetjen pse Berisha këto ditë ka ngritur akuza, tha se ato janë vetëm kërcënime ndaj tij dhe deputetëve, por dhe ndaj popullit. “Po le të kthehemi te pyetja pse e bëri sot Sali Berisha këtë farsë? Sepse Sali Berisha nuk është burrë që di të përballet me armët e të vërtetës, po një burracak që kërkon të shpëtojë nga përballja e pashmangshme me të vërtetat e këtij populli, duke kërcënuar disa që të dëgjojnë të tjerët. Kërcënon mua që të dëgjojnë deputetët, kërcënon deputetët që të dëgjojë populli opozitar dhe nesër, të jeni të sigurt, do të vazhdojë me kërcënimet në popull sepse e di, më mirë se të gjithë, më mirë se unë dhe se ju, që ka grabitur zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë”, u shpreh Rama. Kreu socialist, njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, iu përgjigj dje dhe akuzave për dhënie leje ndërtimi deputetëve socialistë, në mënyrë të jashtëligjshme. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi, po firmos leje që jepen nga KRRT-ja me 9 anëtarë. 4 anëtarë janë të emëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe 4 anëtarë janë të zgjedhur nga Partia Socialiste, përfshirë edhe mua si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Anëtari i 9 është zgjedhur konsensualisht edhe nga PS edhe nga PD. Ky formulim i KRRT-së është bërë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, sepse deri në vitin 2007 shumicën që ka vendosur gjithçka e ka pasur Sali Berisha, më parë kryeministrat e tjerë e kështu me radhë”, sqaroi Rama. Sipas tij, lejet janë dhënë me votë të plotë të KRRT, ndërkohë që deri në vitin 2007 s’kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të KRRT-së që kontrollohej nga njerëzit e Saliut, edhe pse kam firmosur siç ma dikton ligji çdo vendim të atij organi kolegjial”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›