Rama apel Berishës: Larg duart nga pushteti vendor
“Berisha të heqë duart nga pushteti vendor”! Ky ishte apeli që kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i bëri dje Kryeministrit Berisha në sheshin “Skënderbej” përmes një proteste bashkë me administratën e kësaj bashkie. Gjatë fjalës së tij, Rama renditi një sërë akuzash në drejtim të Qeverisë, ndërsa theksoi se Berisha po ndërhyn në punët e vendorëve, duke shkelur rëndë Kushtetutën. Rama akuzoi qeverinë se ka ulur ndjeshëm investimet për Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha grandet që pretendon ajo se i ka dhënë kësaj bashkie, sipas Ramës janë vetëm gënjeshtra, ndërsa kërkoi që buxheti për njësitë vendore të ndahet në bazë të kritereve bashkëkohore. “Buxheti për njësitë vendore të ndahen në bazë të kritereve bashkëkohore. T’i jepet fund kësaj praktike, sepse edhe së fundit qeveria e Sali Berishës gënjen se ka katërfishuar grandet ndaj Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës ka fituar dy herë më pak se sa ka marrë vite më parë”, theksoi Rama. Kryebashkiaku i Tiranës akuzoi kryeministrin se ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor në këto katër vjet, gjë që është vërtetuar dhe nga Gjykata Kushtetuese.