Rama: Incidenti, veprim i dëshpëruar i PD
Berisha: Socialistët organizuan një provokacion ordiner. Sheshet janë për festat e mëdha, le ta mbajë Rama atë rrugë"
TIRANË- Kryesocialisti, Edi Rama, ka komentuar dje incidentin e ndodhur paraditen e djeshme mes policisë dhe protestuesve të Partisë Socialiste. Ai e ka quajtur atë "veprim i dëshpëruar përpara zgjedhjeve, i cili nuk mund të ndalojë qytetarët".
Përplasja me policinë ka sjellë edhe reagimin e Internacionales Socialiste nëpërmjet kryetari të saj, Jorgos Papandreu. Ndërkohë, Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë ngjarje si provokim i socialistëve.
Rama
"Do të mbrojmë votën, ashtu siç mbrojtëm sot lirinë për të ngritur podiumin. Ky pushtet ka marrë fund moralisht dhe pas dy ditësh do të marrë fund edhe qeverisja e tij. Njerëzit e dështuar bëjnë veprime të dëshpëruara para zgjedhjeve.
Ky pushtet nuk e mban dot më vetveten, pasi ka marrë fund,"- tha dje Rama në lidhje me incidentin e shkaktuar nga policia. Ai deklaroi se presioni për ndalimin e mitingut të Partisë Socialiste nuk do të pengojë njerëzit të marrin pjesë në atë që ai e cilësoi si festën e madhe të fitores.
"Mbrëmja është e jona dhe bulevardi për mitingun është i lirë," - u shpreh Rama. Nga ana tjetër, edhe kryetari i Internacionales Socialiste, dhe njëkohësisht i partisë PASOK të Greqisë, dënoi incidentet e ndodhura në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". "Jo shembull i mirë çfarë kam parë në TV. Këto janë praktika të vjetruara", - tha Jorgos Papandreu.
Berisha
Ndryshe nga socialistët, Berisha ka mbrojtur policinë, duke thënë se situata e krijuar ishte rezultat i provokacionit të kreut socialist, Edi Rama. "Edi Rama organizoi një provokacion ordiner.
E bëri këtë edhe për faktin se sheshet nuk i mbush dot. Meqenëse nuk mbush sheshet, i lamë këtë rrugën këtu, le ta bëjë aty mitingun. Por sheshet janë për festat e mëdha. Nuk e bën dot, le ta mbajë",- u shpreh Kryeministri.
Berisha ka theksuar se sheshi "Skënderbej" do t'i lihej edhe Partisë Socialiste nëse ajo do të kishte bërë kërkesë për të zhvilluar mitingun e saj përmbyllës aty. "Ka një traditë, mitingjet për 20 vjet janë zhvilluar në dy sheshet.
Absolutisht, në qoftë se zotëria e tij do të kërkonte sheshin "Skënderbej", unë isha i gatshëm ta ripozicionoja orarin, jo të ikja nga sheshi, se këto janë mitingje përmbyllëse",- u shpreh Kryeministri gjatë një konference për mediat.
Uidhers viziton vendin e protestës
Fakti që përfaqësues dhe deputetë të Partisë Socialiste kanë kaluar natën jashtë në mbrojtje të vendit ku do të zhvillohej mitingu, i ka bërë përshtypje edhe Ambasadës Amerikane. Vetë ambasadori Xhon Uidhers ka vizituar mëngjesin e djeshëm "sheshin e betejës" dhe ka takuar përfaqësuesit socialistë. Ai është informuar prej tyre për atë që kishte ndodhur dhe më pas është larguar pa bërë asnjë deklaratë.
Berisha vëzhgonte nga dritarja
Gjatë gjithë kohës që deputetët dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste konfrontoheshin fizikisht me policinë e Tiranës, Kryeministri Berisha qëndronte në dritare duke vështruar. Ai është pikasur rreth orës 11.00 duke hapur dhe mbyllur perden e dritares së zyrës së tij në Kryeministri.
Pasi tërhoqi vëmendjen e të gjithë medieve, Kryeministri u shfaq haptazi në dritare, duke folur në telefon. Pak minuta më pas, përfaqësuesit e PS-së arritën që të çajnë murin e policëve dhe makinave të vendosura prej tyre, duke hyrë kështu në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
"Bllokuam mitingun me 20 makina dhe karroatrecë dhe pastaj i lamë vetë që të kalonin"
Policia: 126 punonjës kundër PS-së
TIRANË- Policia e kryeqytetit ka shpjeguar dje, me anë të një deklarate zyrtare, versionin e saj për incidentet e ndodhura dhe përplasjen me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. "Nga ana jonë është vendosur ndalimi i tubimit të subjektit politik, Partia Socialiste dhe lejimin e tij në sheshin "Nënë Tereza".
Subjekti politik, Partia Socialiste e Shqipërisë, duke mos respektuar qëndrimin ligjor të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe pa asnjë konsultë apo njoftim paraprak, ka tentuar që të vendosë disa pjesë të materialeve në funksion të zhvillimit të tubimit.
Në këto kushte, policia ka marrë masa për bllokimin e drejtimeve hyrëse në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nga ura e Lanës deri në rrugën "Ismail Qemali", për këtë janë shfrytëzuar edhe mjete ndihmëse të policisë rrugore", - thanë burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, simpatizantë të PS-së kanë tentuar që të kalojnë me forcë postbllokun e policisë, por pa ia arritur qëllimit.
Më pas, policia pohon se për të qetësuar situatën ka hapur rrugën dhe ka lejuar vetë që të hyjnë përfaqësuesit e PS-së në bulevard, kur kjo gjë nuk është aspak e vërtetë.
Qindra protestues të PS-së hapën rrugën me forcë, duke zhvendosur makinat private që kishte vënë policia në mes të rrugës.
Gjatë kësaj kohe, policia shtynte me forcë makinat që të mos lëviznin nga vendi. Në total, në këtë operacion janë angazhuar 126 punonjës policie, por edhe karroatrecë, të cilët nuk dihet se me çfarë statusi janë gjendur aty, pasi bëhet fjalë për mjete private dhe jo shtetërore apo të policisë.