Shkodër /MASH: Të hënën nis mësimi në shkollat e mesme profesionale
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar dje të gjithë nxënësit dhe prindërit, se në shkollat profesionale të qytetit të Shkodrës do të nisë procesi mësimor ditën e hënë. MASH bëri të ditur se konviktet e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës, përkatësisht Shkolla Industriale, Shkolla Pyjore, Shkolla Teknologjike, Shkolla e Veterinarisë dhe Shkolla Artistike, janë në dispozicion të nxënësve konviktorë që studiojnë në këto institucione arsimore. Ndërkaq nga Drejtoria Arsimore e Shkodrës janë marrë të gjitha masat për vënien në funksion të nxënësve, të të gjitha ambienteve konviktore të këtyre shkollave. Kujdestarët e konvikteve dhe mësuesit kujdestarë kanë njoftuar të gjithë nxënësit konviktorë për hapjen e konvikteve dhe nisjen e mësimit ditën e hënë. Prej disa ditësh në godinat e konvikteve të shkollave të mesme profesionale të Shkodrës ishin akomoduar banorë të zonave të përmbytura.