E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në BE, Frattini: Kërkesa, s'duhet të rrijë mbyllur në sirtar

TRIESTE- "Mirëpresim Islandën në Evropë, por Shqipëria nuk mund të presë më". Kështu është shprehur sot në Trieste ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, duke komentuar mosbarazinë në trajtimin e proceseve për pranimin e kandidaturave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Kërkesa e Islandës do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Evropës. Është diçka pozitive dhe jemi dakord që Islanda të jetë pjesë e familjes evropiane. Por kërkesa e hershme e Shqipërisë nuk duhet të mbetet mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. Vendet e Ballkanit perëndimor nuk mund të përjashtohen nga procesi i madh i Bashkimit Evropian", tha ai.
Ndërkaq, Frattini propozoi se duhet bërë se shpejti një samit me shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të vendosur hyrjen në Bashkimin Evropian të këtyre vendeve.
"Sot, dhjetë vjet pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, ka ardhur momenti për veprime konkrete dhe t'iu themi këtyre vendeve që të marrin përgjegjësitë e tyre. Propozoj një konferencë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të favorizuar sa më parë procesin e pranimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë", deklaroi Frattini.
Sipas ministrit të Jashtëm italian, kjo konferencë duhet të zhvillohet sa më shpejt, brenda muajve të parë të vitit 2010.
"Është koha që çdo vend të marrë përgjegjësitë e veta. Ndërsa për sa përket Italisë, gjithmonë kemi shprehur mbështetjen tonë për politikën e integrimit", deklaroi Frattini.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›