E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ka një skenar për të përsëritur problemet e zgjedhjeve 2005Nga TemaEdi Rama deklaroi mbrëmë se PS kishte informacione se po kërkohet të bllokohen kuti votimi për t’i manipuluar më pas, siç ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2005. Kryetari i PS u s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Ka një skenar për të përsëritur problemet e zgjedhjeve 2005Nga Tema

Edi Rama deklaroi mbrëmë se PS kishte informacione se po kërkohet të bllokohen kuti votimi për t’i manipuluar më pas, siç ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2005. Kryetari i PS u shpreh dje se i kishte kërkuar drejtorit të Policisë së Shtetit impenjimin maksimal për të mbajtur nën kontroll situatën në procesin e votimit. Kreu i PS tha dje se ekziston një plan për agresion verbal me prani fizike të paligjshme në qendra të caktuara të numërimit, qendra që po thellojnë avantazhin e Partisë Socialiste si në Elbasan, në Tiranë, në Gjirokastër apo edhe në pika të tjera. I pyetur për përqindjen e ulët të aleatëve të PS në këto zgjedhje, Rama u shpreh se nuk është momenti për të komentuar mbi këtë garë, por se PS është e vendosur, sipas tij, për të respektuar votën e secilit. “Në respekt të plotë të miqve dhe aleatëve, nuk dua të komentoj mbi emocionet e një gare, kjo është një garë dhe unë dua t’i garantoj që të gjithë se numëruesit dhe numërueset e Partisë Socialiste kanë pasur të gjitha orientimet e nevojshme për të respektuar dhe për t’i dhënë në radhë të parë seriozitet dhe dinjitet procesit në tërësi. Dhe pastaj sigurisht për të qenë të vëmendshëm dhe të përqendruar që asnjë votë e askujt të mos preket apo të humbasë. Në rast se ka raste të kësaj natyre, unë dëshiroj ta konsideroj pjesë të gabimeve njerëzore të një procesi që gjithsesi, siç e shikoni edhe ju, është i stërmundimshëm, por në asnjë mënyrë pjesë e një qëndrimi apo një synimi nga ana jonë. Në asnjë mënyrë”, - tha Rama.

Presioni në qendrat e votimit

“Nuk ka asnjë sens që të ketë personazhe gjithfarësh, që të futen në qendrat e votimit, që të bëjnë presion mbi këta njerëz, që të pengojnë procesin e votimit dhe që të tregojnë në këtë formë të papranueshme, primitive, atë që në fakt është dëshpërimi i atyre që i nxisin këto lëvizje. Ne jemi të informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokime të qendrave të numërimit, për bllokime kutish, për nxjerrje fletësh të pavlefshme, sepse procesi i numërimit po hyn në fazën kur rezultatet do të fillojnë të kthjellohen pas një faze të parë, kur, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2005, u orkestrua një proces numërimi, duke kapur kutitë me rezultate më të favorshme për ata që e bënë këtë gjë. Ne nuk na shqetëson kjo, ne jemi të qetë, ne ndjekim me shumë vëmendje dhe me përpikëri të gjithë procesin. Jemi disa hapa përpara edhe kompanisë që ka vënë në dispozicion medieve të dhënat e marra nga terreni, sepse të dhënat tona janë operative dhe grumbullohen menjëherë, dimë çfarë presim, e presim qetësisht, por është momenti për të ngritur zërin që kjo natë që fillon të mos sjellë anomali dhe të mos jetë terri, ku të përshkallëzohen veprime që u vunë re që pasdite.”

Kërkesa për policinë

“I kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit impenjimin maksimal. Nuk kam asnjë vërejtje, as për Drejtorin e Përgjithshëm dhe as për forcat e Policisë së Shtetit në tërësi, por është për të ardhur keq që në episode të caktuara vihet re edhe një bashkëpunim i heshtur i policëve të rendit, të cilët gjenden nën presionin e njerëzve të veshur me pushtet, njerëz që nga Ministria e Brendshme derdhen nëpër qendrat e numërimit. Njerëz që përdorin një pushtet politik, por ç’është më e keqja, abuzojnë me një detyrë shtetërore për të udhëhequr akte që bien ndesh në mënyrën më eksplicite me standardet e një procesi zgjedhor. Dhe mbi të gjitha përbëjnë, siç e thashë që në fillim, një agresion të patolerueshëm dhe tërësisht të dënueshëm mbi ata burra e gra të të gjitha partive, që janë ulur në qendrat e numërimit dhe që e vazhdojnë detyrën e tyre të sfilitur në kushtet e një procesi, i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikohet pas pjesës së tij të parë. E thashë që në daljen time të parë se këto nuk janë zgjedhje për Bashkimin Evropian, por le të bëjmë të mundur që të jenë zgjedhje për një Shqipëri, që kërkon të hedhë një hap tjetër dhe mbi të gjitha të jenë zgjedhje, në të cilat verdikti i popullit sovran lexohet me respekt dhe seriozitet të plotë dhe jo me interferencë personazhesh si ata të Ministrisë së Brendshme apo të fortët që mbajnë rreth tyre, kur turren për të ushtruar presion mbi qendra numërimi e mbi numërues. Sigurisht që ky është një apel, që secili të vazhdojë të bëjë detyrën e tij dhe njëkohësisht përfitoj nga rasti t’i inkurajoj të gjithë numëruesit dhe numërueset dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e administrimit zgjedhor, që të jenë në lartësinë e kësaj detyre fisnike që kanë në këto orë. Sepse janë aty për të bërë të lexohet një vendim historik i popullit shqiptar, për një ndryshim historik, i cili do të ndodhë dhe duhet të ndodhë në respekt të atyre standardeve të shqiptarëve e shqiptareve që e ndjekin ditë-natë nga ekranet e televizorit këtë proces. Është vërtet e patolerueshme që në vitin 2009, në një vend evropian, politika që pretendon të jetë zëvendësja e frymës evropiane, mbartëse e kulturës evropiane dhe udhëheqja e një populli të tërë drejt Bashkimit Evropian, të bëhet nxitëse e atyre veprimeve që për fat të keq janë konstatuar, jo në një rast gjatë pasdites dhe që siç e thashë qartësisht mund të përshkallëzohen në vijim. Mos të guxojnë ta bëjnë. Dhe Policia e Shtetit të jetë siç ka qenë deri më sot, Policia e Shtetit, jo shërbëtore e pushtetit. Godinat e shkollave ku bëhen numërimet janë mjedise që duhen, sot më shumë se asnjëherë tjetër, respektuar në integritetin e tyre dhe hapësira ku sot më shumë se asnjëherë tjetër ajo që ndodh brenda ka rëndësi për fatet e popullit shqiptar.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›